Vrasje e tritol në Vlorë, vendi në duart e krimit

Pa kaluar 24 orë nga vrasja e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës në zemër të Tiranës, një tjetër person u vra në Vlorë mbrëmjen e të dielës. Vendi ndodhet në duart e organizatës kriminale në pushtet dhe çdo shqiptar ndjehet i pasigurtë.
35-vjeçari Elidon Mehmeti u ekzekutua me breshëri kallashnikovi rreth orës 23:00, në rrethrrotullimin e Skelës. Ai u ekzekutua brenda makinës së tij tip “Ford”, me targa AA 709 HM, teksa po lëvizte në drejtim të banesës së tij.
Persona të paidentifikuar nga policia zbrazën 15 plumba nga një tjetër makinë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Mehmeti është ndjekur nga autori dhe është qëlluar në një moment kur makina, për shkak edhe të punimeve që po bëhen në zonë, ka qenë në limitet e shpejtësisë. Pasi ka ikur për rreth 50 metra me makinën ndezur, mjeti është ndalur dhe 35-¬vjeçari ka tentuar të dalë për të kërkuar ndihmë.
Breshëria ka terrorizuar banorët e paktë që janë gjendur afër vendit të ngjarjes në ato momente.
Kalimtarët janë afruar për ta ndihmuar, ndërsa autoambulanca, e cila ka mbërritur në një kohë të shpejtë, e ka shoqëruar në spital.
Policia bëri të ditur dje se, shkak për vrasjen e Elidon Mehmetit është bërë e shkuara e tij, dhe konfliktet e vjetra. Ndërkohë, mëngjesin e djeshëm policia gjeti në “Urën e Mifolit” një makinë të djegur, e cila dyshohet se është përdorur nga atentatorët e Mehmetit. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorët e krimit, të cilët, sipas saj, janë larguar në drejtim të paditur.
Policia bëri të ditur se, Elidon Mehmeti njihet si person me precedent kriminal, i përfshirë në fushën e trafikut të drogës. Gjithashtu, sipas policisë, nga hetimet e kryera ka rezultuar se Mehmeti është arrestuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Deri në këto momente, policia ka shoqëruar 8 persona me të cilët po punohet për zbardhjen e ngjarjes.

Artikulli paraprakTritol makinës në Vlorë, shpëton 42-vjeçari dhe vajza e mitur
Artikulli tjetërSi ruheshin nga policia prej 3 muajsh 11.6 tonët e drogës