Si ruheshin nga policia prej 3 muajsh 11.6 tonët e drogës

Magazina ku u gjetën 11.6 ton drogë në fshatin Pagri të Përmetit ruhej nga policë të armatosur, të cilët nuk lejonin asnjë njeri t’i afrohej. Magazina ishte objekt shtetëror dhe prej 3 muajsh ajo shërbente si pikë grumbullimi lëndësh narkotike. Droga grumbullohej nga zonat përreth dhe përpunohej në magazinë për t’u trafikuar jashtë shtetit. Burimet e Prokurorisë bëjnë të ditur se ka dyshime se një sasi e madhe droge ka dalë nga kjo magazinë dhe është trafikuar.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje banorët e fshatit, të cilët kanë deklaruar se në magazinë punonin një numër i madh personash. Banorët kanë deklaruar para hetuesve se, ata nuk lejoheshin që t’i afroheshin hambarit të drogës dhe shumica e njerëzve që punonin aty ishin të panjohur për ta.
Policia ka ndërhyrë pas kërkesës së Prokurorisë për sasinë e madhe të drogës në magazinë. Por ka dyshime se, operacioni policor është dekonspiruar, pasi nuk u gjet asnjë nga trafikantët dhe punëtorët në magazinë.
Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, droga e grumbulluar në magazinë në fshatin Pagri të Përmetit është bërë me dijeninë e drejtuesve të policisë. Policia e Përmetit kishte deklaruar para një muaji se kjo magazinë ishte kontrolluar nga forcat policore dhe ka rezultuar se nuk kishte drogë, por ka dyshime se nuk është ushtruar kontroll, pasi grupi hetimor ka arritur të zbulojë se droga në këtë magazinë ruhej prej tre muajsh. Edhe banorët e zonës kanë deklaruar para hetuesve se prej tre muajsh shikonin njerëz të armatosur që ruanin magazinën dhe nuk lejonin njeri që të afrohej aty.
Një specialist i komisariatit të Përmetit u përjashtua nga policia. Shefi i Komisariatit dhe shefi i Krimeve u shkarkuan. Ndërsa ndaj drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, nëndrejtorit dhe 3 drejtuesve të tjerë ka nisur një procedim disiplinor. Deri tani, ata nuk kanë dhënë dëshmi të vlefshme për identifikimin e trafikantëve.
Ish-Kryeministri Berisha u shpreh në një reagim në rrjetin social Facebook se, 11.6 tonët e drogës së zbuluar në magazinë ruheshin si pronë e qeverisë. “Në një magazinë shtetërore të Kanabistanit, ruheshin si pronë qeverie 11.6 ton drogë! Policia mbronte magazinën, zbulimi u bë nga Prokuroria bazuar në informacione serioze nga qytetarë antikanabis!”, shkruante Berisha. Në një postim në rrjetin social thuhet se:
Vetëm pas kërkesës së Prokurorisë, Policia ka ndërhyrë duke sekuestruar drogën që ishte gati për t’u trafikuar jashtë shtetit. Kanabisi është gjetur e futur në disa thasë ishte gati për t’u trafikuar dhe kapte një vlerë prej 12 milionë eurosh.
Një javë më parë, Prokuroria zbuloi mbi 2 ton drogë në një tunel ushtrie në fshatin Rreth-Bazë të Matit. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, droga e gjetur në tunelin e ushtrisë ruhej nga policia dhe lënda narkotike ishte bërë gati për t‘u trafikuar jashtë shtetit. Edhe në këtë rast, droga ruhej nga forcat policore me dijeninë e krerëve të lartë të policisë.
Për këtë ngjarje, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako bëri të ditur se shkarkoi disa efektivë policie, por asnjëri prej tyre nuk u dërgua për ndjekje penale. Krerët e lartë të policisë kanë frikë se policët e pushuar tregojnë emrat e zyrtarëve të përfshirë në magazinimin e drogës ndaj nuk dërgohen për ndjekje penale.
Mijëra ton kanabis janë depozituar nga policia në tunelet e ushtrisë dhe Rezervat e Shtetit për t’u trafikuar jashtë shtetit. Policia e ka depozituar drogën në tunelet e ushtrisë për ta trafikuar çdo natë nga toka, deti dhe ajri. Përditë, policia italiane dhe greke njofton për kapje skafesh dhe maunesh me drogë nga Shqipëria.

R.POLISI

Artikulli paraprakVrasje e tritol në Vlorë, vendi në duart e krimit
Artikulli tjetërAleatët e PD të vendosur: nuk ka zgjedhje me Ramën