Inspektori i infrastrukturës i UEFA-s, Tyrge Borno, i ka bërë të hënën vizitë të re stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Por këtë objekt gjigant e ka gjetur në gjendje të njëjtë, si në vizitën e kaluar. Ndonëse zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vizitën e bërë në muajin shkurt i premtuan inspektorit Borno se rinovimi do të nisë shpejt, punët në stadium ende nuk kanë filluar.
Investimet në “Adem Jashari” janë mëse urgjente për faktin se ky është stadiumi i vetëm që mund të plotësojë kriteret e kategorisë së dytë, përkatësisht i vetmi që me rinovim mund të bëhet gati për verë (qershor), që klubet kosovare të fitojnë të drejtën e paraqitjes në kualifikime për Champions dhe për Ligën e Evropës.