Parlamentarë suedezë mbështetje kauzës së opozitës për zgjedhje të lira

Parlamentarë suedezë shprehin mbështetjen e fuqishme ndaj kauzës së opozitës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes krijimit të një qeverie teknike. Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka informuar dje deputetë të Parlamentit suedez mbi situatën e rëndë ku Shqipëria është përfshirë sot, ku narkotrafiku dhe krimi i organizuar bashkëqeveris me kreun e mazhorancës. Me anë të një statusi në Facebook, Vokshi shkruan se me deputetët suedezë ka ndarë shqetësimin për situatën kritike që ndodhet Shqipëria dhe për ndaljen e përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës. “Bashkë me kolegët suedezë ndava shqetësimin për situatën kritike në Shqipëri dhe për lëvizjen popullore, të drejtuar nga opozita për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, për të ndalur përpjekjen e rrezikshme të kryeministrit Edi Rama për blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës dhe financimet e grupeve kriminale”, shkruan deputetja e PD-së Vokshi. Më tej duke iu referuar raporteve më të fundit të EUROPOL dhe raportimeve të mediave botërore, Vokshi shkruan se Rama ndoqi politikën e mbjelljes së të gjithë Shqipërisë me kanabis me qëllim përdorimin e parave të pista për blerjen e zgjedhjeve. “Referuar raporteve më të fundit të EUROPOL, Departamentit amerikan të Shtetit dhe raportimeve të mediave me prestigj nderkombëtar si: ‘CNN’, ‘BBC’, ‘News Europe’, ‘Huffington Post’, ‘Deutche Welle’ etj., Kryeministri Edi Rama ndoqi politikën e mbjelljes së të gjithë Shqipërisë me kanabis me qëllim përdorimin e parave të pista për blerjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet në Shqiperi janë në rrezik! Kryeministri ka urdhëruar edhe lirimin nga burgu të kriminelëve për t’i emëruar koordinatorë të zgjedhjeve, një formë e hapur e shantazhit për votën”, shkruan më tej Vokshi. Ndër të tjera deputetja ka deklaruar se deputetët suedezë kanë dhënë mbështetje të plotë për kauzën e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme si gur themeli për ndërtimin e sistemeve demokratike. Në takimin e zhvilluar dje në Tiranë, deputetja Vokshi u ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në zbatimin e strategjive ndërsektoriale dhe në proceset integruese.

Artikulli paraprakZv/kryetari i KQZ: Zgjedhjet pa opozitën janë farsë
Artikulli tjetërDule: Shtyrja e zgjedhjeve është e pashmangshme