Claudio Ranieri ndihet i tradhtuar. Ish-trajneri i skuadrës së Leicesterit, ka vendosur të thyejë heshtjen, që pas shkarkimit të tij nga stoli i “Dhelprave”. Të gjithë ishin dëshmitarë, të suksesit që arriti italiani në Angli, ku fitoi titullin kampion në Premier League, për të parën herë në historinë e Leicesterit, por rezultatet jo pozitive në sezonin aktual bënë që tekniku të shkarkohej. Ranieri shprehet se meritonte pak më shumë respekt, pas asaj që kishte realizuar.
“I dhurova botës së futbollit një përrallë të vërtetë. Arrita ta bëja të pamundurën të mundur. Personalisht iu përkushtova maksimalisht skuadrës dhe në momente të vështira, ti pret që të përfitosh një lloj bonusi, një gjë e tillë nuk më ndodhi”, u shpreh Ranieri.
Më tej, tekniku 65-vjeçar shprehet se nuk ishin futbollistët ata që ndikuan në largimin e tij, por drejtuesit e klubit. Gjithashtu, ai pohon se i kanë ardhur oferta në nivele klubesh dhe kombëtaresh.
“Nuk e di se kush më kthehu shpatullat pasi nuk më pëlqen të kthej kokën pas, por mund të them që skuadra kishte probleme dhe sezonin e kaluar. Gjatë kohës kur paraardhësi im Pearson drejtonte Leicesterin, u largua pas 6 humbjesh radhazi, ndërkohë që unë pas 5 të tillave edhe pse kisha fituar një titull kampion dhe isha pranë kualifikimit për fazën e 1/4 në Champions League, pavarësisht kësaj, vendimi për të më shkarkuar ishte marrë. Nuk besoj se ishin futbollistët ata që ndikuan në këtë vendim, por drejtuesit e klubit, pasi janë ata që vendosin fatet e skuadrës. Kam pasur shumë oferta dhe jam duke vlerësuar secilën prej tyre”, përfundoi ish-trajneri i skuadrës së Leicesterit.
Ndërkohë, destinacioni i ardhshëm i Alexis Sanchez mund të jetë Manchester City. Sipas asaj që publikohet në median britanike, te Citizens janë të bindur se do të mund të nënshkruajnë me sulmuesin kilian të Arsenalit duke përfituar nga fakti që ai ende nuk e ka rinovuar kontratën me “Topçinjtë” e Londrës.
Gjithnjë sipas medias britanike, drejtuesit e Manchester City-t duhet të derdhin në arkat e Arsenalit 58.8 milionë euro për të bindur këtë klub të lejojë transferimin e Sanchez të “Ettihad Stadium”.
Nëse kjo lëvizje do të bëhet, Sanchez do të bashkohet me shokun e tij të skuadrës te përfaqësuesja e Kilit, Claudio Bravo, si dhe me trajnerin Pep Guardiola, të cilin e njeh mjaft mirë pasi ka punuar me të gjatë periudhës që ata ishin te Barcelona.
Pavarësisht krizës që po përjeton Arsenali, për Sanchez ky sezon në aspektin individual konsiderohet mjet pozitiv. Sulmuesi 28-vjeçar në 41 ndeshjet e luajtura deri tani ka shënuar 22 gola dhe ka dhënë 18 asist.