Marotta: Allegri qëndron te Juventusi

E ardhmja e Massimiliano Allegrit do të vazhdojë të jetë te Juventusi. Beppe Marotta drejtori i Përgjithshëm i bardhezinjve në një intervistë ka konfirmuar qëndrimin e Allegrit duke blinduar në njëfarë mënyre trajnerin livornez, emri i të cilit është lidhur shpesh gjatë kësaj periudhe me skuadra të tilla si Arsenali apo edhe Barcelona. Allegri ka një kontratë deri në vitin 2018-të me ne, por ajo që ka më shumë rëndësi është se ai sapo ka nisur një cikël me Juven dhe ky cikël nuk ka përfunduar, deklaroi fillimisht Marotta. Më tej drejtori i Përgjithshëm shtoi: “Ne si klub duam të vazhdojmë bashkëpunimin me të pasi besojmë shumë te puna e trajnerit tonë”.
Juventusi është duke zhvilluar një sezon fantastik dhe për këtë meritat shkojnë të gjitha për Max Allegrin që po i udhëheq bardhezinjtë drejt titullit të 6-të kampion radhazi në Itali, drejt një tjetër triumfi në Kupën e Italisë ndërkohë që skuadra piemonteze ka siguruar edhe kualifikimin në çerekfinalet e Championsit ku do të ketë përballë Barcelonën. Përsa i përket merkatos, Beppe Marotta zbuloi se te Juventusi në verë mund të afrohet mesfushori i Lyonit Tolisso. “Është një lojtar interesant, por ne duhet të bëjmë edhe vlerësimet tona në lidhje me anën taktike”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i kampionëve të Italisë.

Artikulli paraprakPioli drejt largimit nga stoli i Interit
Artikulli tjetërKualifikim madhështor!