Alegri: Mos harroni ç’i ndodhi PSG-së

Trajneri i bardhezinjve, Masimiliano Alegri, po shijon këtë fitore të madhe kundër katalanasve, por e di shumë mirë që përpara e pret një rrugë shumë e gjatë dhe plot rreziqe për të arritur në gjysmëfinalen e Championsit. “Nuk duhet ta ndalim entuziazmin, duhet të jemi të vetëdijshëm që djemtë kanë zhvilluar një ndeshje shumë të mirë në çdo aspekt, si atë ofensiv edhe atë defensiv. Nuk më ngelet gjë tjetër veçse t’i përgëzoj djemtë për këtë ndeshje të shkëlqyer kundër një ekipi të madh si Barcelona. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë që është vetëm hapi i parë.
Në Barcelonë do të jetë një ndeshje komplet ndryshe nga kjo dhe shumë më e vështirë, objektivi ynë i vetëm është të shkojmë në ‘Camp Nou’ për të shënuar dhe jo për t’u mbyllur në mbrojtje, sepse do të rrezikonim të përsërisnim figurën që bëri PSG-ja.
Është kjo Juvja që ëndërroja? Unë nuk jam një ëndërrimtar, jam një njeri pragmatik: Ishim një skuadër e re, që kishte nevojë për pak kohë, që të njiheshim me njëri-tjetrin. Jam shumë i lumtur për djemtë, të cilët i meritojnë plotësisht këto momente dhe për klubin që po bën një punë të jashtëzakonshme, duke u rritur dita-ditës”.
“Në entuziazmin e paktë të Barcelonës, vazhdon Alegri, ka meritë vetëm Juventusi. Nëse nuk je i kujdesshëm dhe i vëmendshëm që të markosh sulmuesit e tyre, rrezikon shumë, por ne ia dolëm mbanë që t’i limitonim në maksimum sulmet e tyre.
Dybala? Ka nxjerrë në pah të gjithë kualitetin e tij, duke zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer, si të gjithë lojtarët e tjerë që zbritën sot (të martën) në fushë. Tani duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës që kemi në kampionat, kundër Peskarës, pasi duam që ta mbyllim sa më shpejt çështjen skudeto. Në Peskara duhet të fitojmë patjetër, që të mund ta përgatisim me shumë qetësi ndeshjen e kthimit kundër Barcelonës. Nga një ekip si ne pritet shumë dhe ne duhet t’u përgjigjemi përherë këtyre kërkesave”.

Artikulli paraprakEnrike: M’u duk si PSG-Barça
Artikulli tjetërSkualifikohet me 18 muaj Armando Izzo