Juvja nuk përmbyset si PSG-ja

Një dopietë ëndrrash përpara syve të Lionel Messit. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte mbrëmja e Paolo Dybala-së, i cili ishte lideri i Juventusit në fitoren madhështore që arritën kundër Barcelonës. Dy të majta vrasëse u ndalën në rrjetën e portës së mbrojtur nga Ter Shtegen dhe numri 21 i bardhezinjve festoi si i çmendur. Ai e vlerësoi shumë të rëndësishëm rezultatin që arriti Juventusi kundër Barcelonës dhe tha se sekreti i këtij suksesi ishin shfrytëzimi i mirë i rasteve. “Bëmë një ndeshje të madhe dhe i shfrytëzuam mjaft mirë rastet që krijuam dhe morëm një rezultat shumë të mirë. Nuk duhet të harrojmë që na pret një sfidë delikate, por e rëndësishme është të mos pësonim gol dhe këtë e bëmë”, tha fillimisht Dybala.
Sulmuesi argjentinas është një lojtar që ka ëndrra dhe punon shumë për t’i realizuar ato. Edhe dy golat në portën e Barcelonës, në një mbrëmje të tillë, i ka ëndërruar që fëmijë.
“Nuk kam fjalë për ta përshkruar atë çka ndiej. Jam shumë i lumtur, sepse unë këto momente i kam ëndërruar që kur kam qenë i vogël. Mbi të gjitha jam i kënaqur sepse e ndihmova skuadrën, e cila arriti një rezultat shumë të mirë. Duhet të shkojmë sa më larg të jetë e mundur, por me besim mund ta arrijmë objektivin që kemi. Të gjithë jemi duke shijuar këtë moment fantastik dhe nuk duhet të mendojmë aspak për atë që do të ndodhë në të ardhmen”, theksoi 23-vjeçari.
Përmbysja e madhe që Barcelona i bëri PSG-së është kryefjala e kësaj jave, por Paolo Dybala është i sigurt se Juventusi do të shkojë në sfidën e transfertës i karikuar dhe për të siguruar kualifikimin.
“E dimë që atje do të jetë e vështirë, por ne jemi shumë të fortë dhe e dimë që të gjithë së bashku mund të bëjmë histori. Nuk arritëm të pësonim gol dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se ajo që i ndodhi PSG-së do të na bëjë më të fortë për t’u përgatitur maksimalisht, por dyshoj që Juventusit mund t’i ndodhin këto gjëra në një ndeshje të tillë. Jemi gati për të shkuar deri në fund, të gjithë bashkë”, tha Dybala në intervistën pas ndeshjes.
Ai foli edhe për rinovimin e kontratës duke i qetësuar tifozët bardhezinj: “Jam i lumtur këtu dhe shumë shpejt do të firmos kontratën e re”.

Artikulli paraprakBizneset austriake: Shqipëria nuk është tërheqëse për investimet e huaja
Artikulli tjetërMasakra, zv/presidentja e PE : Mos e prekni Vjosën