Lufta e plehrave, LSI ndahet nga PS në Fier

Lufta për plehrat ka çuar drejt një ndarje të fortë mes LSI dhe PS në Fier. Situata është tensionuar, pasi LSI ka dalë publikisht kundër projektit të vendosjes së impiantit që do të djegë plehrat në katër fshatra të zonës. Kjo ka sjellë edhe reagimin e shpër të Kryebashkiakut socialist, i cili deklaroi se e gjitha kjo lëvizje e PS bëhet për një grusht votash dhe se po kujtohen tani të ngrenë zërin, ndërsa më parë kanë heshtur. Kreu i Grupit të këshilltarëve të LSI në Këshillin Bashkiak Fier, Nimet Musai ka dalë dje në një konferencë për mediat, duke shprehur pakënaqësi dhe kundërshtim në lidhje me impiantin e plehrave.
Fillimisht kreu i grupit të LSI është shprehur se LSI Fier kërkon transparencë me lidhje me qëndrimin e Bashkisë dhe kreut të saj Armando Subashi mbi deklaratën për tërheqjen e vendimit të qeverisë për ndërtimin e impiantit të mbetjeve urbane.
Për Musain ky vendim është shkruar vetëm në statusin e Kreut të Bashkisë në Facebook dhe nuk ka një vendim zyrtar të shkruar dhe protokolluar zyrtarisht. Ne jemi pro ndërtimit të impiantit ka thënë kreu i grupit të LSI në Këshillin e Bashkisë Fier, Nimet Musai, por kërkojmë që ky impiant të plotësojë kushtet teknike dhe të marrë miratimin e komunitetit, ndërkohë Musai ka deklaruar gjithashtu se kërkohet transparencë në lidhje me shpronësimin e tokës mbi të cilën do ndërtohet ky impiant nëse do të ndërtohet.
Sipas Musait në lidhje me shpronësimin dhe koston e tokës private ku do ndërtohet impianti që afërsisht kap një vlerë prej 460 mln lekë të reja kërkohet të paraqitet zbatimi i procedurave ligjore.
Ndërkohë sërish dje dhjetëra protestues të Vajkanit, Kallmit e Verrisë kanë bllokuar për disa minuta autostradën Lushnjë–Fier ne vendin e quajtur Vajkan, në shenjë proteste. Pas kësaj, policia shoqëroi në komisariat disa persona për bllokim të paligjshëm të rrugës, gjë që solli grumbullimin e protestuesve para komisariatin. Banorët pohojnë se duan transparencë nga bashkia për impiantin e plehrave. “Nuk i duam mbetjet”, thanë banorët. “Ne e duam me shkrim nga kryetari që të na sqarojë veten. Ne nuk tërhiqemi”.

Artikulli paraprakBursa e Energjisë, Sekretariati: Janë shkelur afatet për krijimin e strukturës
Artikulli tjetërÇadra e të vërtetave