Shqiptarët vijojnë të kryesojnë listën e azilkërkuesve në Europë

Në të dhënat e Eurostat për azilantët në Bashkimin Europian gjatë 2016-ës, rezulton se në total gjatë vitit të kaluar ka pasur 43265 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë në vendet e unionit, ndër të cilat vetëm 1375 janë pranuar ose 3.1% e totalit. Kjo vjen si pasojë e klasifikimit të Shqipërisë si një vend i sigurt origjine, pavarësisht se nuk i ka penguar shqiptarët të aplikojnë. Por, kjo normë nuk është aspak e njëjtë në të gjitha vendet e rajonit. Italia ka normën më të lartë të pranimit të azilantëve shqiptarë, në 44.4%, pra thuajse gjysmën e kërkesave. Pavarësisht se në numër të vogël, nga 225 kërkesa për azil në vitin 2016 nga shtetasit shqiptarë, qeveria italiane ka vendosur që për 100 prej tyre ta pranojë kërkesën, edhe pse Shqipëria është një vend i sigurt origjine. Kjo do të thotë se, thuajse 10% e atyre të cilëve iu është pranuar kërkesa për azil vitin e kaluar, kanë aplikuar pikërisht në Itali, vend i cili nga ana tjetër njihet për rregulla strikte sa i përket azilantëve. Në Gjermani ndërkohë, norma e pranimit është në vetëm 0.52%, ndërkohë që nga rreth 32 mijë kërkesa janë pranuar vetëm 170 të tilla. Një rast tjetër i çuditshëm është Franca, që ka marrë edhe numrin më të lartë të azilantëve shqiptarë të pranuar, plot 750 të tillë, me një normë pranimi në 14%. Pra, nga 1350 shqiptarë, të cilëve iu është pranuar kërkesa për azil në të gjithë Bashkimin Europian, 55% prej tyre kanë përfituar nga zemërgjerësia franceze. Veç francezëve dhe italianëve, zemërgjerë me shqiptarët duket se kanë qenë edhe britanikët, të cilët iu kanë pranuar kërkesën për azil 1 në 5 shqiptarëve që aplikuan, pra nga rreth 1000 të tillë në total. Në Belgjikë norma e pranimit është në 8.5%, në Holandë 0.6%, në Greqi 0.5% dhe Suedi 3.4%.

Artikulli paraprakTregu imobiliar, i paqëndrueshëm
Artikulli tjetërShoqëria civile kundër ndërtimit të resortit në Divjakë nga Mabetex Group