Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë analizës së bërë publike për auditimet e vitit të shkuar, ka cituar se një ndër kontrollet e realizuara ka konstatuar më tepër probleme ka qenë në Prokurimet Publike, dëmi ekonomik i së cilës kishte rritjen më të ndjeshme.
Për Agjencinë e Prokurimeve Publike, auditimi tregoi se kishte rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014.
“Për vitin 2015, kemi rritje të dëmit, i cili arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014, rritje prej 3.8 herë”, thuhet në raport.
Për po të njëjtin institucion, gjatë 2015 është kryer edhe një tjetër auditim, në sistemin teknologjik të agjencisë, sipas të cilit janë vërejtur probleme në zbatimin e procedurave të prokurimit publik.
Për këtë auditim, u përdorën teknikat kompjuterike CAAT si dhe përdorimi i vizualizimit të informacionit.
Nga vizualizimi i gjendjes nëpërmjet paraqitjes së efektivitetit të prokurimeve për operatorët ekonomikë për prokurimet e vitit 2014, KLSH konstaton tre zona me nivel risku të ndryshëm. Rezultatet e auditimit treguan se:
– 35% e prokurimeve me efektivitet nga 0 deri në 5% zonë e cila mbart riskun e marrëveshjeve dhe mungesën e transparencës në procedurat e prokurimit.
– 27% e prokurimeve me efektivitet nga 5 deri në 20% zonë të cilën e vlerësojmë me nivel të ulët risku.
– 38% e prokurimeve me efektivitet nga 20 deri në 58% zonë të cilën e vlerësojmë zonë me risk të lartë në mosplanifikim të saktë me pasojë mos efektivitet fondesh.
Dëmi ekonomik në Tatime dhe Dogana
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka raportuar gjithashtu në Kuvend për një trend në rritje të dëmit ekonomik në sektorin e fiskut, sidomos tatime dhe dogana. “Për vitin 2015, një dëm të konsiderueshëm kemi konstatuar në sektorin e tatimeve dhe doganave në rreth 13% të dëmit total të konstatuar, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013”, referon KLSH në materialin për Kuvendin.
Po të analizojmë në vlerë trendin në rritje të dëmit në sektorin e tatimeve dhe doganave do të vërejmë një rritje me 14 herë krahasuar me shifrën e dëmit të konstatuar në vitin 2014, raporton KLSH. Kështu nga 1,220,319 mijë lekë të vitit 2014 konstatimet në këtë sektor kanë arritur në 16,854,733 mijë lekë në vitin 2015. Për vitin 2015, kemi rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014.
Gjithashtu rritje ka pësuar edhe dëmi në prokurime arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014 me një rritje 3.8 herë. Por KLSH referon se, për vitin 2015, pjesa më e madhe e dëmit vjen kryesisht nga fusha e menaxhimit të pasurisë shtetërore, ku rezulton se është konstatuar rreth 84% e dëmit total në sektorin energjisë e sektorin e hidrokarbureve. Verifikimi i të njëjtit trend lidhur me dëmin në sektorin energjetik, tregon se ky sektor mbetet si sektor me risk dhe adreson domosdoshmërinë e një vëmendje të madhe mbi këto sektorë nevralgjik të ekonomisë. Për vitin 2014, dëmi në këtë sektor ishte në nivelin 79% të totalit të dëmit total të konstatuar, ndërsa në vitin 2013 po në këtë sektor dëmi ishte në rreth 92% të totalit të dëmit të konstatuar.