Tjetër laborator droge në një tunel në Tiranë

Një tjetër laborator droge u zbulua dje, këtë herë në Tiranë. Bëhet e ditur se me kërkesë të Prokurorisë, policia gjeti dje një laborator të përpunimit të kanabisit në një prej ish-tuneleve të ish-Uzinës së Traktorëve në Shkozë. Laboratori shërbente për përpunimin e kanabisit, ndërsa në tunel është gjetur edhe një sasi droge e tharë si dhe qindra rrënjë kanabis të mbjella nëpër vazo. Sipas burimeve, trafikantët e kishin përshtatur tunelin me llampa për të kultivuar kanabisin në kushte të brendshme. Mësohet se janë 4 persona që janë shoqëruar në polici.
Pas operacionit, policia bëri të ditur se, u konstatua një ambjent i mbyllur në brendësi të tunelit i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Sipas policisë, këto ambjente ishin në pronësi të shtetasit Hazbi Pardhokut. Policia bëri të ditur se është sekuestruar një sasi e konsiderueshme kubikësh dhe lënde e dyshuar narkotike, por nuk bëhet e ditur sasia e drogës së sekuestruar.
Banorët e zonës kanë bërë të ditur se kishin parë prej kohësh lëvizje njerëzish të dyshimtë në tunel. Megjithëse policia ishte njoftuar, nuk është ndërhyrë për kapjen e trafikantëve. Edhe ditën e djeshme gjatë operacionit nuk është gjetur në tunel asnjë nga trafikantët, të cilët bashkëpunojnë me policinë për trafikimin e drogës. Dyshohet se operacioni është dekonspiruar nga radhët e policisë.
Shqipëria është kthyer në një magazinë dhe laboratorë gjigantë droge. Laboratorët e drogës tashmë janë montuar edhe në Tiranë, ku forcat e policisë janë më të shumta në numër, por nuk ndërhyhet, sepse pas trafikut të drogës qëndrojnë vetë zyrtarët e policisë.
Laboratori i drogës në Shkozë të Tiranës është i dyti që zbulohet brenda kësaj jave. Para tre ditësh u zbulua një laborator modern për përpunimin e drogës në Përmet. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 12 ton kanabis e fshehur në magazinë, gati për t’u trafikuar. Prokuroria bëri të ditur se, laboratori ishte nga më modernët i zbuluar deri tani, për përpunimin e lëndës narkotike. Ai ishte i pajisur me mjetet më moderne sa i përket ndriçimit, ngrohjes dhe vaditjes së bimës narkotike. Laboratori ishte ngritur në një magazinë shtetërore që gjendet në afërsi të Hidrocentralit të Vlushës. Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda u arrestua një biznesmene dhe një shtetas tjetër nga Skrapari. Bëhet e ditur se magazina ku ishte ngritur laboratori i përpunimit të drogës ruhej me persona të armatosur.
Në të gjitha rastet e zbulimit të tonelatave të drogës në tunelet e ushtrisë dhe magazinat shtetërore hetimet janë kryer nga Prokuroria dhe jo nga policia. Prokuroria dyshon pas laboratorëve dhe magazinave të drogës qëndrojnë zyrtarë të lartë të policisë. Në të gjitha aksionet për bllokimin e drogës në tunele e magazinë, policia ka njoftuar trafikantët për t’u larguar duke mos arrestuar asnjë prej tyre.

R.POLISI

Artikulli paraprakLlalla: Hetim për 120 tonelatat e drogës në Manzë dhe Ishëm
Artikulli tjetërTop Channel, një “Fake News” për Berishën në Çadër