Një gol vërtet në frymën e fundit, një gol i veçantë, për gëzimin e jashtëzakonshëm të të gjithë tifozëve goli i parë i Jahmir Hykës në një ndeshje zyrtare në tokën e mundësive. Mesfushori shqiptar shënoi golin e barazimit 1-1 për San Jose Earthquakes ndaj FC Dallas, në sekondën e fundit të minutës së katërt të shtesës. Ishte një ndeshje që Hyka e kishte nisur si titullar dhe pas një pjese të parë pa gola ishte Dallas që kaloi në avantazh në minutën e 78 me Kellyn Acosta. Gjithsesi kur pritej vetëm vërshëllima finale, në shansin e fundit të San Jose, Hyka mori një top në zonë, e mbrojti dhe gjuajti drejt portës me të majtën e tij fatale për golin e barazimit 1-1.
Një gol i rëndësishëm për San Jose që pas 6 ndeshjesh sezonale mbetet e pamposhtur në shtëpi, ndërsa ka regjisttruar 2 barazime, dy fitore dhe dy humbje duke u renditur në vendin e 5 në Konferencën e Perëndimit. “Jam i lumtur për skuadrën që barazuam pasi nuk e meritonim të humbisnim, deklaroi Hyka pas ndeshjes duke shtuar. Mendoj se ne treguam karakterin tonë, shpirtin e skuadrës, si dhe faktin që ne luftojmë deri në sekondën e fundit, kjo është e rëndësishme”.
Hyka e filloi këtë takim si titullar dhe qëndroi në fushën e lojës për 90 minuta të plota. Kjo ishte ndeshja e tij e 6 me San Hozenë dhe e para që qëndron në fushë gjatë gjithë takimit. Pas 6 ndeshjesh, skuadra e Hykës ka grumbulluar 8 pikë dhe renditet në vendin e 5-të të Konferencës së Perëndimit.