Provokohet Murinjo

“Konflikti im me Jose Murinjon është thjesht në aspektin sportiv”. Ky është thelbi i deklaratës së Antonio Kontes në prag të supersfidës Manchester United-Chelsea. Trajneri italian që polemizoi jo pak në sfidën e parë të kampionatit me portugezin për mënyrën se si festoi gjatë fitores 4-0, udhëton i qetë drejt “Teatrit të ëndrrave” pasi situata është normalizuar dhe siç e pranon edhe ai vetë, e gjithë skuadra është në dispozicion të tij. Në vijim ai ndalet te sfida dhe vizita e parë si trajner në “Old Trafford”, ku do t’i duhet të bllokojë edhe një lojtar si Zlatan Ibrahimoviç.
“Si trajner është hera e parë që do të luaj në atë stadium. Mbaj mend që në ‘Old Trafford’ krijohet një atmosferë fantastike. Do të ndeshemi me një ekip të madh dhe për çdo trajner është kënaqësi të përjetojë sfida të tilla. Gjithsesi unë mendoj se kam lojtarët më të mirë të botës, por do të ndeshemi me një kundërshtar shumë të fortë që kërkon me çdo kusht kualifikimin në zonën Champions. Ibra? Po kalon momente shumë pozitive. Është një lojtar i madh dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për finalizimin. Duhet të organizohemi mirë në mbrojtje sepse në zonën e rreptësisë bëhet shumë i rrezikshëm. Nuk kam asnjë problem personal me Murinjon. Është normale që gjatë ndeshjes të ketë konflikt mes nesh”, u shpreh Konte.
Në kampin kundërshtar, Murinjo nuk u kujdes aspak për të ruajtur standardin diplomatik duke thumbuar skuadrën që deri pak muaj më parë e drejtonte si trajner. “Ka disa arsye se përse ata kryesojnë kampionatin dhe nuk është thjesht sepse janë të freskët. Kanë lojtarë me cilësi të larta, por luajnë edhe si skuadër. Kanë një stil të veçantë loje dhe dinë ta bëjnë shumë mirë punën e tyre. Jo çdo skuadër arrin të mbrojë me 11 lojtarë siç bëjnë ata. Jo çdo skuadër është aq konkrete në kundërsulm. Chelsea ka lojtarë që mund t’i zgjidhin ndeshjet të çdo moment”, u shpreh Murinjo. Jose Murinjo projekton sulmin e Man.United. Trajneri i “Djajve të Kuq” është duke menduar që për sezonin e ardhshëm të përforcojë akoma edhe më shumë repartin e avancuar. Madje, portugezi ka dhe tri emra.
Antoine Griezmann, Romelo Lukaku dhe pa diskutim rikonfirmimi i Zlatan Ibrahimoviç, i cili me shumë gjasa do ta vazhdojë aventurën e tij në “Old Trafold”. Për Griezmann, Murinjo prej kohësh e ka shprehur hapur dëshirën për ta pasur në dispozicion dhe për ta arritur një gjë të tillë, Jose ka ofruar 100 milionë euro. Francezi është një ndër futbollistët më të preferuar të teknikut 54-vjeçar. Përsa i përket sulmuesit të Everton, Romelo Lukaku, situata është disi e komplikuar, pasi në garë për të është edhe Chelsea. Nëse “Blutë e Londrës” gjatë verës do të lejojnë largimin e Diego Costa, atëherë do të futen në garë për 23-vjeçarin. Për ta bindur belgun që të transferohet tek Man.United, do t’i ofrohet një pagë prej 300 mijë eurosh në javë. Bomberi suedez, Zlatan Ibrahimoviç është asi nën mëngë i “Special One”, i cili do të vazhdojë të mbështetet tek ai edhe për sezonin e ardhshëm. Projekti ekziston dhe se sa i realizueshëm do të jetë, kjo mbetet për t’u parë gjatë merkatos së verës.

Artikulli paraprakLila zgjedh Azerbajxhanin për të vazhduar karrierën
Artikulli tjetërDi Maria, i jep fitoren PSG ndaj Angers