2 gola nga Angel di Maria për të barazuar përkohësisht Monacon në kuotën e 74 pikëve në krye të Ligue 1. Paris Saint Germain vijon marshimin në kampionat drejt mbrojtjes së titullit edhe pse jo gjithçka është në dorë të tyre. Skuadra e Unai Emery koleksionoi fitoren e 6-shtë radhazi në kampionat, pasi kaloi pa shumë probleme me rezultatin 0-2, Angers në transfertë. Në minutën e 28-të argjentinasi Angel di Maria shpiku një gol spektakolar për t’i hapur rrugën suksesit të Paris Saint Germain-it.
Ekzekutim perfekt i ish-lojtarit të Manchester United nga goditja standarde, me Di Marian që nuk i dha asnjë mundësi reagimi portierit vendas. Kryeqytetasit kontrolluan ndeshjen dhe në minutën e 84-të vulosën fitoren me një aksion model që bëri sërish protagonist Di Marian që i shërbyer nga braziliani Lucas Moura shënoi edhe golin e dytë. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi më me Parisin që mori tre pikë të arta në garën për titull.