Thomas Strakosha mund të përballet me një rivalitet shumë më të fortë se Federiko Marketi në sezonin e ardhshëm te Lacio. Ndonëse portieri shqiptar cilësohet si e ardhmja e këtij klubi, në mediat italiane vazhdon të përmendet fakti se Lacio është në kërkim të një portieri tjetër dhe pas Perin të Xhenoas, kanë identifikuar një rival tjetër për shqiptarin.
Bëhet fjalë për brazilianin Neto, i cili ka shumë gjasa që të largohet në verë nga Juventusi pasi është mërzitur duke qëndruar në stolin e rezervave te bardhezinjtë. Portieri, i cili në të kaluarën ka luajtur edhe me Fiorentinën, kërkon një skuadër ku të aktivizohet si titullar dhe Lacio mund t’ia ofrojë këtë mundësi.
Në klubin bardhekaltër e shohin Neton si emrin e duhur për të ndihmuar Strakoshën të “rritet” pa u ngutur, derisa të vijë momenti që ai të jetë i padiskutueshëm në portën e Lacios. Ndërkaq, Marketi do të largohet nga ky klub, pasi tashmë dëmtimet e njëpasnjëshme nuk japin garanci për qëndrueshmëri nga 34-vjeçari.