Zidane qëndron te Reali edhe sezonin e ardhshëm

Pak ditë më parë, Zinedine Zidane në konferencën për shtyp përpara derbit të Madridit ndaj Atleticos, deklaroi se nuk ka programuar asgjë  për të ardhmen, pasi nuk e di nëse do të jetë ai trajneri i Realit edhe sezonin e ardhshëm. Por me Los Blancos që kryesojnë La Ligan dhe kanë hedhur hap të madh përpara drejt kualifikimit për në gjysmëfinalet e Championsit, qëndrimi  i Zidane në drejtimin e klubit merengues edhe për të paktën 1 tjetër sezon duket i sigurtë. Presidenti Florentino Perez ka besim te francezi, i cili në vetëm pak muaj fitoi 3 trofe me Los Blancos. Sipas asaj që raporton e përditshmja madrilene “Marca”, Zidane do të qëndrojë në krye të Realit çfarëdo që të ndodhë në këtë sezon.
Edhe  nëse skuadra nuk triumfon as në La Liga e as në Champions League, Perez nuk do ta largojë francezin për të emëruar në krye të ekipit një tjetër trajner. Presidenti e vlerëson jashtëzakonisht ish-mesfushorin për atë çfarë ka arritur gjatë 1 viti e pak në stolin e Los Blancos dhe për frymën që ka futur në skuadër. 44-vjeçari nga Marseille, ka një kontratë deri në vitin 2018 me klubin merengues dhe sipas të gjitha gjasave, Zidane do të jetë pjesë e skuadrës madrilene edhe sezonin e ardhshëm, madje në muajt në vazhdim atij mund të rinovohet edhe kontrata.

Artikulli paraprakAnçeloti u largua nga Reali për Bejl
Artikulli tjetërNeymar beson: Do të bëjmë tjetër mrekulli