Mesazhi i Nishanit për ministrin e Jashtëm gjerman

Nga qyteti i Beratit, Presidenti i vendit, Bujar Nishani foli për krizën politike në të cilën ndodhet vendi.
Kreu i shtetit theksoi sërish nevojën për dialog mes palëve politike, pasi sipas tij përmes dialogut arrihet edhe kompromisi.
“Asnjëherë nuk mund ta shkëpusim aktivitetin politik dhe qëndrimet politike ndaj zhvillimeve të ndryshme në vend sepse ky është sistemi që ne kemi ndërtuar, vendimmarrësit e angazhimeve në të gjitha fushat, përfshi edhe atë të kulturës, janë në sistemin politik dhe unë do të theksoja se sa i rëndësishëm është dimensioni civilizues, dimensioni i një kulture të mataruar, i një bashkëpunimi, i një respekti reciprok përmes politikës dhe akteve politike, sjelljes politike dhe angazhimit institucional, në mënyrë që vlerat e kulturës dhe civilizimit të jenë të jetësuara jo vetëm në trashëgiminë kulturore, por edhe tek sjellja e përditshme e institucioneve dhe aktorëve që përbëjnë këto institucione. Historia na ka mësuar që dialogu është mjeti më i mirë, por përmes dialogut arrihet edhe kompromisi, mirëkuptimi dhe respektimi i standardeve, të cilat janë të detyrueshme për të gjitha palët”, tha Nishani.
I pyetur për deklaratat e ministrit të Jashtëm gjerman dy ditë më parë në Shqipëri, Nishani nuk pranoi që t’i komentonte, ndërsa tha se shqiptarët meritojnë një jetë si në vendet e BE ku synojnë të integrohen.
“Unë nuk jam takuar me ministrin gjerman, nuk bëj komente të diplomatëve të huaj, padyshim që Shqipëria ka tek Gjermania një aleat të madh, të pazëvendësueshëm dhe strategjik dhe jam i bindur se Gjermania, sikur ka qenë deri sot avokatë të përparimit dhe integrimit evropian të Shqipërisë përmes standardeve të larta të gjithpranuara nga vendet anëtare të BE, do të jenë gjithmonë inkurajuese nga këto autoritete edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë të kenë të njëjtat standarde që kanë qytetarët në Francë, Gjermani, Britaninë e Madhe dhe në çdo vend të BE-së, që është destinacioni ynë i vetëm”, tha ai.

Artikulli paraprakBumçi: Ministri gjerman ishte i painformuar
Artikulli tjetërPlani i Ramës për burgosjen e Metës