Konstitucionalistët: KQZ nuk mund t’i ndryshojë afatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shtyjë afatet për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore apo edhe të subjekteve politike. I këtij mendimi është ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, i cili thotë se institucioni i ngarkuar me ligj ka për detyrë vetëm zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe jo të marrëveshjeve politike. “E kanë vendos KQZ-në në pozitë shumë të vështirë. KQZ është e ngarkuar të zbatojë Kodin dhe jo të marrë vendime për dakordësitë e palëve. Të kërkosh është e ndryshme nga të zbatosh. Në qoftë se KQZ vendos mbi bazën e kësaj kërkese politike do të prodhojë precedentin e keq në administrimin e zgjedhjeve”, shprehet Kristaq Kume.
Zgjidhjen për ta mundësuar shtyrjen e afateve Kume thotë se klasa politike nuk duhet ta kërkojë në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por në sallën e Parlamentit, aq më tepër kur mazhoranca i ka numrat e mjaftueshëm për të ndërhyrë në Kodin Zgjedhor. “Rrugëzgjidhja për këtë që ata duan duhet kërkuar në sallën e Parlamentit dhe jo te KQZ. Mazhoranca e sotme e ka fuqinë e kartonave për të ndryshuar Kodin dhe ta ndryshojnë afatin nga 60 ditë. Cilado marrëveshje në tavolinën e partive politike do të ketë fuqi vetëm nëse reflektohet në Kod dhe Kushtetutë”, tha Kume.
Ndonëse nuk e mohon se edhe gjatë kohës kur ka drejtuar KQZ-në janë shtyrë afatet për regjistrimin e kandidatëve, Kume thotë ky është një precedent i rrezikshëm i marrë në vitin 1997, tek i cili Shqipëria nuk mund të kthehet sot. “Ka patur më 97-ën po nuk është normale dhe ai si precedent s’ka pse të përdoret…kam qenë vetë kryetar i KQZ-së, por kjo nuk është normale, procesi i zgjedhjeve është procedural dhe si të tilla afatet janë vendosur në Kod”, theksoi ai. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në dy raste në vitin 2004 dhe në vitin 2005 nuk ka pranuar të regjistrojë partitë politike dhe i ka përjashtuar nga garat elektorale, për shkak të mosregjistrimit në afatin e caktuar në Kodin Zgjedhor.

Artikulli paraprakEfektet e krizës së Maqedoni
Artikulli tjetërKukan: Shqipëria në krizë të thellë politike si Maqedonia