Rënia e numrave 10

Nga James Rodriguez te Mario Gotze e Eden Hazard, të mbash mbi shpinë fanellën me numrin 10 të një skuadre të madhe nuk është një mision i lehtë dhe këtë gjë e dinë shumë mirë këta tre futbollistë. Kartoni i tij i kushtoi Realit, plot 80 milionë euro, por në këtë sezon, pyetja që i kanë bërë vetes tifozët e Los Blancos, ka qenë çfarë po ndodh me James Rodriguez. Më shumë në pankinë sesa në fushë në këto dy muajt e fundit me Zidane në drejtim ylli i Los Cafeteros është zhdukur nga harta e Realit.
Klasi që ai zotëron është shumë i madh, por nganjëherë edhe cilësitë nuk mjaftojnë, pasi për të qenë titullar fiks i një klubi të madh duhet të derdhësh djersë në fushë dhe të sakrifikosh për skuadrën, këtë gjë te Reali për momentin po e bën shumë mirë një futbollist si Casemiro. Të martën në mbrëmje për të gjetur një buzëqeshje të zbulimit të Botërorit Brazil 2014, duhet të shikoje nga stoli i rezervave të Realit të Madridit, pasi edhe pse nuk kishte në dispozicion Ronaldon dhe në fund të pjesës së parë u dëmtua Benzema, Zidane edhe njëherë tjetër nuk besoi te James, duke e mbajtur kolumbianin gjatë gjithë kohës në stol. Ndryshimi në stol nga Benitez te Zidane duket se i ka përkeqësuar akoma edhe më shumë gjërat për 24-vjeçarin që si shpëtim tani ka vetëm largimin nga kryeqyteti spanjoll në fund të sezonit.
Një situatë disi të ndryshme po kalojnë Eden Hazard dhe Mario Gotze edhe pse rezultati final po i njëjti. Belgu u shpall lojtari më i mirë i sezonit të kaluar në Premier League, por në edicionin 2015-2016 gjërat nuk kanë shkuar aspak mirë për të. Ashtu si e gjithë skuadra e Chelsea-it edhe Hazard ka hasur vështirësitë e tij, dhe për të dalë nga kjo errësirë po mendon seriozisht largimin nga Blutë. Mario Gotze nga ana tjetër për disa muaj qëndroi jashtë fushave për shkak të një dëmtimi, por edhe pas rikthimit heroi i Gjermanisë në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës i ka patur të pakta hapësirat në formacion, kjo si edhe pasojë e shpërthimit të Coman. Për talentin gjerman shikohet gjithashtu një e ardhme, larg Bayernit dhe ndoshta te Liverpooli, ku Klopp do ta priste krahëhapur. Të mbash numrin 10 mbi shpinë nuk është edhe aq e lehtë.
Ndërkohë, legjenda e Romës, Francesco Totti, 39-vjeçar, ende nuk e konsideron veten të plakur, pasi duket se i ka thënë drejtorit sportiv të klubit Walter Sabatini, se nuk dëshiron të largohet nga kryeqyteti italian pas përfundimit të sezonit. Sabatini ka treguar se e kishte pyetur italianin nëse dëshiron të pensionohet në fund të sezonit apo dëshiron të vazhdojë të luajë dhe Totti ishte përgjigjur se ndjehet si adoleshent dhe ëndërron të vazhdojë akoma.

Artikulli paraprakLewandowski: E ardhmja, në Spanjë ose në Angli
Artikulli tjetërFati i Platini në KAS