Rama kërkon borxh nga paratë e kujdesit shëndetësor të qytetarëve

Kriza financiare ka detyruar qeverinë të kërkojë edhe paratë e sigurimeve shëndetësore, që janë pagesa të qytetarëve për efekt të kujdesit të garantuar shëndetësor. Përveç parave që shpenzohen nga Drejtoria e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, ky institucion ka edhe fondin e vet rezervë. Ky fond vjen nga diferenca e të ardhurave me shpenzimet, pra krijohet nëse qytetarët kanë paguar më shumë lekë se sa kanë marrë shërbime.
Sipas statutit të Fondit, këto para mund të përdoren për disbalancimin e mundshëm të buxhetit gjatë vitit dhe për përballimin e fatkeqësive natyrore. Në të dyja këto raste, përdoret për interesin e qytetarëve. Por qeveria ka marrë disa ditë më parë një vendim të çuditshëm: të përdorë paratë e Fondit për të rregulluar buxhetin e vet. Nëpërmjet një vendimi të datës 20 prill 2016, Këshilli i Ministrave ka ndryshuar statutin e këtij Fondi, duke shtuar një nen ku i jepet e drejta drejtorit të Përgjithshëm, (me miratimin e Këshillit Administrativ), të investojë këto para në letra me vlerë të qeverisë, deri në lekun e fundit.
Me fjalë të tjera, këto fonde rezervë nuk do të përdoren më për interesin publik, por duket se do të shërbejnë si fonde, të cilat qeveria do i kapë si borxh nëpërmjet skemës së letrave me vlerë.

Artikulli paraprakFati i Platini në KAS
Artikulli tjetërPBDNJ: Rama-Kokëdhima, terror ndaj qytetarëve dhe gjenocid me pronat në Himarë