Maskat terror në Berat, grabitet me armë një biznes

Persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një lokal në një fshat në Berat rreth mesnatës së kaluar. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se, rreth orës 00:20 dy persona ende të paidentifikuar u futën në lokalin e shtetasit Engjëll. Ç., në fshatin Kutalli, ndërsa ky i fundit ishte duke fjetur në lokal.
Sipas burimeve, personat e armatosur kanë kërcënuar me armë pronarin e lokalit dhe e kanë lidhur. Më pas dy grabitësit, i kanë hedhur një mushama në kokë dhe nën kërcënimin e armëve i morën lekët e xhiros dhe u larguan. Shuma e grabitur është rreth 30.000 lekë të reja. I zoti i lokalit më pas ka bërë denoncimin në polici. Autorët janë ende të lirë, ndërsa policia njofton se po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Artikulli paraprakProkuroria sekuestron 4.5 hektarë tokë në zonën turistike të Thethit
Artikulli tjetërKapet shqiptari në Romë me 260 kg drogë në furgon