Padi në gjykatë për Veliajn

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë dorëzuar dje në Gjykatën Administrative një padi ndaj Veliajt, për mosrespektimin e vazhdueshëm të ligjit në lidhje me informimin. Veliaj dhe bashkia e tij nuk i janë përgjigjur asnjërës prej dhjetëra kërkesave për informacion e transparencë, që kanë bërë këshilltarët e PD, lidhur me paligjshmëritë në ndërhyrjen tek Parku i Liqenit, tek prokurimet e bëra apo shkarkimet nga puna.
Kreu i këshilltarëve, Leonard Olli u shpreh për mediat se që nga data 20 tetor i vitit të kaluar ku këshilltarët e djathtë kanë kërkuar informacion në lidhje me masterplanin e Liqenit të Tiranës, si dhe në lidhje me informacione mbi projekte të tjera të Bashkisë, nga kjo e fundit nuk i ka bërë të disponueshëm asnjë informacion.
“Sot jemi përpara një realiteti absurd, sepse jemi detyruar t’i drejtohemi gjykatës në mënyrë që Bashkia Tiranë dhe kryetari i saj të marrin mundimin dhe të informojnë këshilltarët bashkiakë për atë çka ndodh sot në Bashkinë e Tiranës. Edhe pse në emër të këshilltarëve i kemi dërguar dhjetëra kërkesa me shkrim Bashkisë Tiranë, duke filluar që nga data 20 tetor, kur ka qenë dhe kërkesa e parë për t’u informuar për masterplanin e famshëm të liqenit dhe ndërhyrjet më pas që po bëheshin aty, por edhe informacione të tjera që lidhen kryesisht me punën e bashkisë; me pushimet nga puna, me ndërhyrjet e ndryshme në pjesë të ndryshme të qytetit, të cilat në gjykimin tona ka një mungesë të theksuar transparence, në raport me shndërrimin e sheshit ‘Nënë Tereza’ në muajin dhjetor si pedonale për aktivitet biznesi, në raport edhe me elementë të tjerë paligjshmërie, për fat të keq edhe sot që flasim, Bashkia Tiranë, z. Veliaj, në flagrancë të plotë, shkel ligjin duke mos dhënë asnjë informacion”, tha ndër të tjera Olli.
Kreu i këshilltarëve të djathtë bëri të ditur se ligji për vetëqeverisjen vendore, nenin 51, pika 3 e të cilit saktëson në mënyrë eksplicite, se këshilltari me kërkesën e tij informohet për gjithçka dhe në çdo kohë nga kryetari i Bashkisë. “Kjo mungesë transparence ka vijuar në të gjitha mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Ky është teatri absurd që ka krijuar në këtë moment Veliaj në funksionimin e Këshillit Bashkiak. Bunkerizim total i Bashkisë, terr i plotë informativ dhe për më tepër në mungesë të respektimit të ligjit që nuk është në varësinë apo dëshirën e z. Veliaj”, u shpreh Olli.

Artikulli paraprakPBDNJ: Rama-Kokëdhima, terror ndaj qytetarëve dhe gjenocid me pronat në Himarë
Artikulli tjetërBSH: Qeveria e rriti borxhin me 645 milionë euro