Luftë mes të burgosurve në paraburgimin e Policisë së Vlorës. Sipas burimeve të policisë, disa të ndaluar me rekorde të theksuara kriminale janë përleshur mes tyre dhe i kanë vënë zjarrin paraburgimit në Policinë e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme rreth orës 19:30, ku fillimisht zjarri i është vendosur dyshekëve në dhomat paraburgimit. Bëhet e ditur se si pasojë e zjarrit ka mbetur i plagosur një polic dhe tre të burgosur.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e ndodhur në paraburgimin e Vlorës, ku i është vënë flaka disa dyshekëve nga ana e disa të paraburgosurve. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, pas një konflikti fizik midis disa personave me rekorde të theksuara kriminale kanë ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme forcat e Policisë së Burgut. “Është bërë izolimi i personave të përfshirë në konflikt. Pas kësaj shokët e qelive të personave të futur në izolim në shenjë proteste i kanë vënë flakën dyshekëve të dhomave përkatëse, duke sjellë pështjellim të situatës”, bën të ditur Drejtoria e Burgjeve.
Pas zjarrit, menjëherë është bërë njoftimi i forcave zjarrfikëse, Forcave Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si dhe i forcave të Policisë së Qarkut Vlorë. Gjithashtu është njoftuar dhe Prokuroria Vlorë. “Si pasojë e kësaj ngjarjeje është dërguar në spital pas asfiksisë nga tymi një efektiv i Policisë së Burgjeve. Pas largimit të zjarrfikëseve situata në IEVP Vlorë është totalisht e normalizuar”, bëjnë të ditur burgjet.