Luçiano BOÇI
I tillë ishte “recitimi” që Rama bëri sot me rastin e 90-vjetorit të gjimnazit “Qemal Stafa”!
Hapi thesin si gjithmonë. Foli për “modernizim” të sistemit, për “reforma” e arritje. Për tekste “të jashtme” e kurrikul “me salltanete” perëndimore.
“Harroi”, ose me saktë bëri sikur harroi që dje për shkak të këtij modernizimi “të jashtëzakonshëm” të qeverisë së tij, 10 nxënës e mësues të Pukës, rrezikuan jetën në një aksident dramatik, siç rrezikojnë një pjesë e madhe çdo ditë.
Ato transportoheshin me një mjet arkaik, por “modern” për k/ministrin. (foto poshtë)
10 veta, mësues e nxënës bashkë, “të bërë sardele”, të futur me zor politik, në një makinë për katër persona, tip “Fuoristradë”.
“Modernisht” krejtësisht pa dokumenta dhe me një shofer-roje, si pjesë e gjeneratës tjetër!!
Foli për mësues të shquar, por harroi përçmimin e plotë të sotëm ndaj figurës së mësuesit!
Nuk tha asnjë fjalë për trajtimin poshtërues politik që i bëhet atij.
Nuk përmendi as mungesën absurde të vlerësimit material e moral të mësuesit.
Shmangu të thotë që në këto vite “të modernitetit”, qeveria e tij ka bërë investime qesharake në shkolla.
E që në Shqipëri klasat kolektive shtohen si “këpurdhat pas shiut”, sepse askush nuk e ka mendjen tek cilësia dhe kujdesi për fëmijët tanë.
Që dhuna në shkolla është fenomen endemik dhe ai “modernisht” si K/ministër “rri e vështron”!
Ose reciton ndonjë poezi!
Por në vend të poezive, do kishte bërë mirë dhe kështu njëherë të vetme në jetën e tij do ishte treguar i sinqertë me mësuesit, nqs do lexonte sot, para tyre, letrën që Entela Kasi, mësuesja e dikurshme e “Qemal Stafës” dhe e Gregut, ja dërgonte muaj më parë.
Po ju kujtoj, me këtë rast, z. K/ministër piskamën e dhimbjes së saj, të ish-mësueses së gjimnazit, ku ju “rrëfyet e recituat”, përrallën e modernitetit tuaj të pështirë.
Ajo është një ulërimë për gjendjen ku e keni zhytur arsimin, që ju e quani “gjendje moderne”:
“Sot, e shoh të pamundur të ushtroj detyrën time si mësuese në një mjedis të dhunshëm, ku janë përmbysur të gjitha vlerat dhe mbi të gjitha ku triumfon dhuna.
Sot, unë nuk mundem të jem përballë drejtuesish të tillë e garantuar dhe e sigurt në ushtrimin e profesionit tim.
Sot unë e shoh të pamundur që të ushtroj detyrën time, duke edukuar të kundërtën e dhunës, vlerat universale të lirisë tek nxënësit e mi, të cilët unë mësuesja e tyre nuk kam fuqi t’i mbështes apo mbroj nga e keqja me të cilën përballen në çdo minutë të kohës së tyre në shkollë”.
Të paktën, për moralin tënd, t’i përmendje emrin! Gjithsesi përralla-marrëzi e juaja nuk e zbeh urimin e të gjithëve, për gjimnazin “Qemal Stafa”:
“Nderime për stafet e nxënësit e tij ndër vite! Rrugë të gjatë në përçimin e dijes e vlerave njerëzore!”