“RESET”
Është e njohur botërisht se për një sistem social kompleks si ai liberal–kapitalist është thelbësore që të mbahen nën kontroll të gjitha ato ngjarje që mund t’i shkaktojnë një krizë të tipit strukturor. Domethënë se alternativat në bazë të të cilave artikulohet konflikti politik duhet të janë të pajtueshme me funksionimin “normal” të vetë sistemit. Praktikisht, alternativat jo të përzgjedhura nga sistemi nuk duhet të jenë të njohura apo të tematizuara në mënyrë eksplicite nga shumica dërrmuese e qytetarëve. Zgjedhja duhet të bëhet midis alternativave që sistemi tashmë ka përzgjedhur, domethënë të tilla që të mos dëmtojnë interesat politike dhe ekonomike të grupeve dominuese. Për pasojë, rendi institucional mbështetet jo edhe aq mbi konsensusin praktikisht ekzistues sesa mbi mbivlerësimin e konsensusit praktik dhe sidomos mbi faktin që një mbivlerësim i tillë të arrijë të ketë sukses. Me fjalë të tjera, mekanizmi nëpërmjet të cilit “prodhohet” konsensusi në një “demokraci” moderne liberale është një fiksion institucional, jo kërkimi i një konsensusi efektiv, por një formulë rituale justifikimi ideologjik të politikës, boll që të jetë thelbësore për funksionimin e sistemit social.
Në thelb, kjo nënkupton që teknologjia sociale dhe manipulimi i konsensusit duhet të bëjnë që të mos vihen kurrë në diskutim ato procedime që mundësojnë të merren vendime kolektivisht detyruese, “duke i absorbuar” paqartësinë dhe duke eliminuar alternativat e rrezikshme për sistemin. Nëpërmjet mekanizmash të tilla mund të kihet atëherë siguria e arsyeshme se do të mbizotërojë ajo që sistemi përzgjedh, duke ia arritur kapacitetin vetërregullues dhe duke ia hequr përvojën rrezikut të një problematizimi të vetëdijshëm. Megjithatë, është e qartë se sistemi liberal–kapitalist nuk zhvillohet automatikisht, si pse gjeneron “shpresa” (në rritje) që duhet t’i përmbushë – duke ushqyer për pasojë një konflikt që nuk mund të zgjidhet më falë mekanizmave që rregullojnë sistemin – ashtu edhe pse vetë formacioni social liberal–kapitalist hegjemon (që në fakt është “xhandari” që duhet të garantojë funksionimin “normal” të sistemit liberal–kapitalist) duhet të “konkurrojë” me formacione të tjera sociale. Sistemi social liberal–kapitalist konfigurohet kështu si një sistem relativisht i hapur si në profilin endogjen, ashtu edhe në atë ekzogjen, domethënë që duhet të përballojë dy lloje sfidash: ato që i vijnë nga brenda dhe ato që i vijnë nga jashtë.
Logjike atëherë që strategët e polit atlantik pas zhdukjes së Bashkimit Sovjetik kanë vepruar në dy plane njëkohësisht për të konsoliduar hegjemoninë e Shteteve të Bashkuara: në planin ekonomik dhe financiar duke promovuar ekspansionin gjigantesk të kapitalizmit financiar (sidomos me abrogimin e ligjit bankar të 1993, i njohur si Glass-Steagall Act, gjatë administratës Clinton) që do të çonte në krizën financiare të 2007–2008; në planin gjeopolitik duke ndërhyrë ushtarakisht në Afganistan e në Irak dhe duke ristrukturuar NATO-n me qëllim që të saldojë në Atlantik kontinentin europian dhe sidomos Gjermaninë tani sërish e bashkuar. Jo më pak, qysh nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, pavarësisht që qenë të qarta shenjat e krizës së pakthyeshme të sistemit sovjetik, që baza prodhuese e Shteteve të Bashkuara nuk ishte në gjendje të “mbështeste” një projekt të hegjemonisë globale. Nga ana tjetër, historiani francez Fernand Braudel shikonte në mbizotërimin e kapitalizmit financiar mbi ekonominë “reale” “sinjalin e vjeshtës” tipik për pushtetin e shtetit kapitalist hegjemon. Në fakt, atëherë kur rritja e prodhimit dhe e shkëmbimit të mallrave, që dallon një cikël akumulimi të kapitalit, shkon në limitet e veta, jemi në prani jo vetëm të një krize ekonomike, por edhe të një krize të fuqisë kapitaliste hegjemone, grupet dominuese të së cilës kërkojnë që ta zbusin me një ekspansion të fortë të kapitalit financiar. Por mbizotërimi i kapitalizmit financiar është vetëm një ilaç i përkohshëm që nuk mund të shmangë “tërmetin gjeopolitik” që e ka origjinën në rënien relative të fuqisë hegjemone. Një rënie e theksuar nga “kundërgoditja” që buron nga yshtja e “shpirtërave kafshërore” të kapitalizmit në nivel botëror dhe që ka parë në harkun e pak kohëve Kinën të bëhet fuqia e parë industriale, e favorizuar pikërisht nga ai globalizim që në fakt duhej të “vuloste” dominimin e sistemit liberal–kapitalist të mbështetur mbi hegjemoninë e Shteteve të Bashkuara.
Atëherë nuk habit fare fakti që i ashtuquajturi “unipolarizëm amerikan” ka zgjatur vetëm për pak kohë dhe që Shteteve të Bashkuara nga njëra anë u është dashur të lëshojnë gjithnjë e më shumë hapësira (për të përdorur një eufemizëm) aktorëve gjeopolitikë “subdominues” të rrezikshëm e të papërgjegjshëm si puna e petromonarkive të Gjirit, me qëllim që të ribëjnë hartën gjeopolitike të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore në funksion të interesave të polit atlantik; nga ana tjetër kanë kërkuar që të forcojnë pozicionin e tyre në Europë për të kundërshtuar rilindjen e fuqisë ruse nën Putinin, duke favorizuar një zgjerim të NATO-s në kufijtë perëndimorë të Rusisë dhe duke shkaktuar kështu një krizë ndërkombëtare që, sikur mos të kishin qenë armët bërthamore, ka mundësi që do të ishte shndërruar në një luftë të re botërore. Si ishte e parashikueshme kjo “strategji kaosi” jo vetëm në Lindje të Mesme e në Afrikë, por edhe në kontinentin e vjetër dhe në të njëjtën kohë, të gjeneronte një emigracion masiv të pakontrolluar (që disa analistë e konsiderojnë si një lloj arme shkatërrimi në masë) drejt Europës, e zënë në darën e një krize sociale dhe ekonomike që futja e euros dhe politikat liberiste të adoptuara nga oligarkia euroatlantiste vetëm kanë kontribuar të bëhet gjithnjë e më e rëndë. Në analizë të fundit, kriza e sistemit aktual liberal–kapitalist e Bashkimit Europian konfigurohet tashmë si një krizë sistemi në kuptimin e vërtetë të fjalës, duke qenë se efektet “perverse” të krizës së hegjemonisë amerikane i shtohen atyre të një krize jo vetëm ekonomike, por politiko–sociale të sistemit liberal–kapitalist që jo vetëm nuk arrin të plotësojë “shpresat” që vetë ai (pashmangshmërisht) gjeneron, por as nuk është më në gjendje të eliminojë apo “heqë” alternativa që nuk janë “në linjë” me interesat e oligarkisë euroatlantiste.
I ashtuquajturi “populizëm”, që po hedh rrënjë kudo në Perëndim, është kësisoj reagimi i kuptueshëm ndaj paaftësisë së sistemit liberal–kapitalist për t’u “vetërregulluar”. Fitorja e Ochi në Greqi (megjithëse më pas e “tradhtuar” në njëfarë kuptimi nga klasa politike greke), politika e qeverisë hungareze, Brexit, rritja e lëvizjeve populiste në vende të ndryshme europiane, vetë suksesi i Trump dhe fitorja e Jo-së në Itali (që ka hedhur poshtë një reformë të ngatërruar të Kushtetutës, e cila parashikonte deri që parlamentarët të mos ishin më përfaqësuesit e vendit dhe faktikisht u cedonte më tej sovranitet kombëtar eurokratëve) janë të gjitha sinjale se një “erë politike” e re po lëkund institucionet politike perëndimore. Por duhet pasur kujdes nga krahasimi, shumë i dashur për shumë analistë neoliberalë, me vitet tridhjetë, si krejtësisht i pabazuar. Në fakt, nazionalizmi agresiv në vitet tridhjetë kishte si qëllim ripërkufizimin e ekuilibrave botërorë nëpërmjet një “larjeje luftarake hesapesh”, e konsideruar e pashmangshme si nga fuqitë revizioniste (të ashtuquajturat “have nots”), ashtu edhe nga vetë Bashkimi Sovjetik. Anasjelltas, nevoja për të mbrojtur sovranitetin kombëtar (megjithëse duke pranuar nevojën për t’i “ngecur” shtete të veçanta në “hapësira të mëdha” gjeopolitike dhe gjeoekonomike) nuk është gjë tjetër përveçse nevoja për të riparuar “defektet” dhe katastrofat e shkaktuara nga politikat liberiste dhe agresive të polit atlantik dhe në mënyrë të veçantë të oligarkisë euroatlantiste, me qëllimin e mbrojtjes së të drejtave sociale dhe ekonomike të popujve europianë (dhe jo vetëm europianë) kundër fuqisë së jashtëzakonshme dhe arrogancës së “tregjeve”.
Pra, në këtë perspektivë gjeopolitike është e nevojshme që të interpretohet mangësia e kulturës politike dhe deri “kontradiktat” (disa prej të cilave sigurisht preokupuese) që karakterizojnë lëvizjet e ndryshme politike, të cilat mediat kryesore i përkufizojnë me përçmim populiste. Nga ana tjetër, është e ligjshme të mendohet se populizmi, pavarësisht sesi i tillë nuk është në vetvete një alternativë e “besueshme” ndaj sistemit liberalo–kapitalist, është “kazani kulturor” i nevojshëm që një alternativë e tillë të mund të marrë vërtet formë, pavarësisht se mund të jemi të sigurtë që elitat perëndimore do t’i kundërviheshin me çdo mjet. Në të vërtetë, në fazën aktuale historike, në vend që të ëndërrohen utopi antikapitaliste, duhet konsideruar tashmë një sukses i madh të arrihet të favorizohet bashkëpunimi midis popujve dhe të vihet sërish tregu “në shërbim” të politikës, domethënë të drejtësisë sociale dhe të nevojave “reale” të individëve. Sidoqoftë, nuk do të jetë demonizimi i populizmit ai që do të mund ta zgjidhë krizën e sistemit liberal–kapitalist, edhe pse nuk mund të përjashtohet aspak që ky i fundit, boll që të mbrojë interesat e një oligarkie plutokratike dhe të një middle class (të vetëkënaqur) kozmopolite, të vazhdojë të gjenerojë konflikte dhe çekuilibrime të çfarëdollojshme.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA