Blandine le Cain
Këtë javë, liderja e Frontit Kombëtar që pretendon të fitojë zgjedhjet presidenciale të ditës së sotme në Francë, Marine le Pen, mbajti një fjalim në sallën “Zenit” në Paris. Xhaketa e saj e kuqe dhe zëri i fuqishëm e bënin të dukej tërheqëse. Askush nuk qëndroi indiferent në sallë. Secila tezë e kandidates konservatore e të djathtës ekstreme u ndoq me duartrokitje.
Ajo ka shpalosur kohët e fundit 10 masat që do të marrë në rast se fiton zgjedhjet. Ky fjalim i bënte apel zemrave të francezëve dhe i kujtonte popullit se Franca është një shtet unik me veçanti të mëdha. Ajo tha se nëse ia jepnin vendin liderëve si En Marche, Emmanuel Macron apo Fillon, ata do ta copëtojnë dhe kjo ishte gjëja më e keqe që do t’i ndodhte Francës në të gjithë historinë e vendit.
Siç theksoi edhe Le Pen, raundi i parë i ditës së sotme, 23 prill, ka një domethënie historike për Francën, popullin dhe shtetin. Së pari, Le Pen i kujtoi njerëzve se Franca ishte kthyer në “burgun e Bashkimit Europian” gjatë viteve të fundit, gjë që i ka kushtuar shumë vendit: humbjen e sovranitetit dhe legjitimitetit si shtet. Ata që e kthyen vendin në këtë gjendje, sugjerojnë se Francës i ka ardhur fundi dhe se duhet t’i dorëzohemi globalizimit të egër, sipas fjalëve të saj.
Megjithatë, ka ende patriotë që mund të rikthejnë për francezët atë që kanë pasur gjithmonë më të shtrenjtë – shpresën – që të ruajnë traditat, gjuhën e bukur, kulturën, artin dhe botëkuptimin francez për njerëzimin. “Këto janë vlerat tona. Secili patriot, çdo francez ka të drejtë të deklarojë se Franca është e tij. Na e riktheni Francën!”, tha Le Pen.
Objekti kryesor i kritikave të Le Pen ishin bankierët, burokratët europianë, Brukseli, teknokratët dhe lobi financiar. Ata kanë një pushtet të jashtëzakonshëm dhe kjo është aryeja përse marrin vendime pa marrë parasysh vullnetin e popullit. “Ata kontrollojnë ligjet tona. Po na çojnë drejt dorëzimit dhe nënshtrimit. Ata na zaptojnë territoret dhe ne nuk mund të vendosim më për të ardhmen e vendit tonë. Ata kanë në dorë të drejtat tona. Francezët në Francë kanë më pak të drejta se të huajt”, tha Le Pen.
Liderja e Frontit Kombëtar kujtoi edhe një herë kërcënimin e terrorizmit, trafikantëve të drogës dhe mafies, që janë pasojat e kufijve jo të kontrolluar të Francës. “Principi i solidaritetit nuk reflekton interesat e politikës sovrane në Francë”, shtoi ajo. “Kjo reflekton jo vetëm aspektet materiale të jetës si mungesa e vendeve të punës, izolimi i qytetarëve etnikë etj., por edhe humbjen e historisë sonë dhe kulturës. Pika më e rëndësishme është rikthimi i sovranitetit ekonomik”, shtoi liderja e Frontit Kombëtar.
“Partia e urrejtjes”
Kur Marine le Pen filloi të fliste për faktin se femrat respektohen në Francë, ajo shtoi se për këtë arsye femrat nuk duhet të akuzohen dhe nuk duhet t’i fshehin sytë pas hijabit. Qëndrimi i lideres së Frontit Kombëtar për veshjet myslimane është e njohur tashmë për të gjithë dhe nuk kishte asnjë ide të re në fjalimin e saj, as ndonjë ndryshim të qëndrimit.
Pas fjalëve të saj, një përfaqësuese e Femen u shfaq në skenë dhe u përpoq pa sukses t’i jepte lule kandidates dhe të zhvishej në skenë. Megjithatë, zhveshja e saj demonstrative u ndërpre shpejt pasi siguria e tërhoqi jashtë skenës përpara se ajo të shfaqte apo demonstronte atë që kishte ndërmend. Në fund, u zbulua se Femen ishte ofenduar dhe deklaroi se partia e Le Pen nuk ishte “parti feministe”. Pas shfaqjes së aktivistes organizata u ankua për faktin se njerëzit e egër të sigurimit e kishin tërhequr me forcë larg kandidates.
Organizata aktiviste Femen nuk e pëlqen kandidaten Le Pen, pasi ajo “është shprehur kundër martesës së të njëjtit seks, predikon për izolimin që do të çojë drejt mbylljes së kufijve dhe sepse kërkon një riafrim gjeopolitik me diktatorin Putin”. Më tej, feministet kanë deklaruar se kandidatja nuk është e aftë të kuptojë islamin, feminizmin, jetën laike dhe e kanë etiketuar Frontin Kombëtar si “partia e urrejtjes”.
Në prag të zgjedhjeve, protestuesit (jo më shumë 400 njerëz sipas “Le Parisien”) dolën në rrugë me slogane kundër fashizmit dhe solidaritetit kundrejt refugjatëve. Situata nuk përfundoi vetëm me banerat kundër Marine le Pen, por protestuesit sulmuan policët dhe lëshuan tymuese dhe shishe me lëndë djegëse.
Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, i cili u zhvillua nga Opinion Way deri më 18 prill, Le Pen dhe Macron kishin një nivel votash prej 22 për qind. Pasi mori veten nga skandali, Fillon u rrit me përqindje deri në 21, ndërsa Jean-Luc Melenchon – 19%. Me pak fjalë, të gjithë kandidatët kanë potencialin e nevojshëm për të kaluar raundin e parë të zgjedhjeve të sotme.
Natyrisht është e vështirë të parashikohet rezultati pasi situata mund të ndryshojë në momentin e fundit pasi gara pritet të jetë tepër e ngushtë. Megjithatë, titujt kryesorë të gazetave perëndimore flasin për një betejë epike ndërmjet Le Pen dhe Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Kush do të fitojë: zëri i popullit apo zëri i bankierëve?
Çfarë premton Le Pen
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet sot më 23 prill. Në prag të zgjedhjeve, liderja e Frontit Kombëtar, Marine le Pen, kishte postuar një video në profilin e saj në Twitter ku përshkruante 10 veprimet që do të kryente menjëherë gjatë dy muajve të parë nëse zgjidhet presidente e Francës. Kandidatja franceze publikoi edhe versionin tekst të premtimeve të saj në faqen e internetit.
1 .Të anulohet marrëveshja Schengen dhe të rivendoset kontrolli mbi kufijtë kombëtarë.
Kjo deklaratë shkaktoi debate të mëdha në mediat perëndimore. Menjëherë u risollën në vëmendje bisedat e mundësisë së Frexit. Kjo pikë ambicioze e programit të saj e dallon Le Pen nga kandidatët e tjerë, veçanërisht nga ish-bankieri i investimeve në bankën Rothschild apo ish-ministri i Ekonomisë, Emmanuel Macron, i cili është i kënaqur me pozicionin aktual të nënshtruar të Francës.
2. Të deportohen të huajt e kategorisë “S”.
Qytetarët e kategorisë “S” (Sûreté de l’Etat – Siguria e Shtetit) në Francë nuk identifikohen si kriminelë, por përmenden si individë që mund të kenë lidhje me organizata terroriste. Kjo kategori nuk është formale dhe personat nuk mund të arrestohen për shkak të përkatësisë në këtë listë, por janë vazhdimisht nën mbikëqyrje.
Marine le Pen propozon gjithashtu të marrë veprime dhe të deportojë individët e dyshimtë që kanë nënshtetësi franceze. Më tej, kandidatja sugjeron se nuk do t’i lejojë hyrjen në vend individëve me dy nënshtetësi dhe që kanë lidhje të provuara me xhihadin.
3. Të shfuqizohen ligjet kriminale “Dati” dhe “Taubira” për t’i dhënë fund ligjeve të buta.
Këto ligje ia lehtësojnë jetën shkelësve të ligjit. Në vitin 2008, ka pasur diskutime aktive të ligjit që mund të vendosë një pjesë të kriminelëve në arrest shtëpie për shkak të mungesës së vendeve në burgje. Në fakt, kriminelët me byzylyk sigurie mund të ecin të lirshëm në zonat e lejuara të qytetit në vend që të qëndrojnë në burg. Marine le Pen ka përmendur vazhdimisht se këto ligje shfaqin dobësi përballë kriminelëve dhe demonstrojnë mungesë respekti kundrejt viktimave.
4. Të organizohet një referendum për reformë madhore institucionale.
Kjo pikë ka të bëjë me qeverinë promocionale, referendumin mbi iniciativën ligjore të popullit, prioritetit kombëtar dhe mbrojtjen e identitetit popullor të kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, sugjeron se do të reduktohet numri i deputetëve dhe senatorëve.
5. Të implementohet reforma e taksave.
Taksa mbi të ardhurat thuhet se do të reduktohet deri në 10 për qind dhe do të reduktohet më tej barra fiskale deri në gjysmë për të vetë.
6. Të reduktohet mosha e pensionit.
Rivendosja e moshës 60-vjeçare të pensionit me 40 vite kontribute. Duhet theksuar se pavarësisht protestave të shumta të qytetarëve për rritjen e moshës së pensionit, ajo është rritur nga 60 në 62,5.
7. Të shfuqizohet Ndihma Shtetërore Mjekësore për emigrantët e jashtëligjshëm.
8. Të inkurajohet puna jashtë orarit dhe të rivlerësohen pensionet e vogla.
9. Të zhvillohet konkurrenca dhe të krijohen vende pune.
Marine le Pen sugjeron se do të transferojë 50 miliardë euro, të cilat aktualisht shpenzohen për CICE (taksa për konkurrencën dhe krijimin e vendeve të punës) për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
10. Të shfuqizohet ligji i punës “El Khomri”.
Ligji i propozuar nga qeveria e Hollande, Valls, ElKhomri sugjeron rritjen e orëve të punës (deri në 60 në javë) dhe reduktimin e pagesës shtesë për punën jashtë orarit. Më tej, kushtet e largimit nga puna mund të shënohen në kontratën e punës në avancë. Reforma e punës është tepër e urryer në Francë dhe duket se ky premtim i Le Pen do t’i japë asaj një avantazh të theksuar social në garën presidenciale.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI