Mbape, tjetër rekord

Kilian Mbape vazhdon të thyejë rekord pas rekordi, duke u konfirmuar si një nga yjet e të ardhmes së futbollit botëror. Talenti i Monakos po monitorohet nga klubet më të mëdha në Europë, të cilat janë gati të hapin një ankand për të në fund të këtij sezoni, duke parë statistikat e çmendura që regjistron futbollisti.
Me golin e shënuar në fitoren 2-1 ndaj Olimpikut të Lionit të dielën në darkë, Mbape arriti shifrën e 14 golave në kampionat. Sipas faqeve të specializuara për statistikat, ky është një rekord, pasi ai bëhet lojtari më i ri (18 vjeç e 4 muaj) që arrin këtë shifër në një prej 5 kampionateve madhore europiane (Italia, Anglia, Spanja, Gjermania, Franca) për shekullin e 21-të.
Vetëm pak ditë më parë, adoleshenti hyri në librat e rekordeve si futbollisti i parë që shënonte në katër ndeshjet e para të debutimit në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve.
Duke marrë për bazë vetëm ndeshjet e luajtura në vitin 2017, rezulton se ai shënon një gol çdo 87 minuta, i kaluar vetëm nga Herri Kejn dhe Robert Lewandowski, të cilët gjejnë rrjetën çdo 78 minuta.
Monaco rikthehet në krye të kampionatit francez, falë dyshes së artë të sulmit Falcao – Mbappe. Sulmuesi kolumbian dhe talenti francez realizuan nga një gol në pjesën e parë me Lyonin në transfertë, duke qenë vendimtarë në fitoren 1-2 të skuadrës nga Principata, që me këtë trepikësh barazon PSG në renditje me 80 pikë, por me një ndeshje më shumë për të zhvilluar.
Në minutën e 36-të, Falcao u zhyt me kokë pranë shtyllës, pas kthimit të topit me kokë nga Glik.
Para se gjyqtari të vërshëllente për përfundimin e pjesës së parë, Mbappe i shërbyer nga Silva, goditi saktë prirët e portën, duke thelluar diferencën në 2-0. Tousart ktheu në lojë Lionin në të 51-tën pas një këndoreje të ekzekutuar nga Depay. Për më shumë se 40 minuta vendasit tentuan gjithçka për të shmangur humbjen, por Monaco e vendosur mirë në gjysmëfushën e saj nuk lejoi ndryshim tjetër rezultati.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti i Monacos, Vadim Vasilyev, ka insistuar se Kylian Mbappe dhe Bernardo Silva që kërkohen nga Real Madridi e Manchester Unitedi, nuk kanë dhënë sinjale se duan të largohen gjatë verës. “Asnjë lojtar nuk na ka thënë se dëshiron të largohet”, tha fillimisht ai për “Telefoot”.
“Natyrisht, do të bisedojmë me lojtarët. Por me Kupën e Botës në vitin 2018, Thomas Lemar, Kylian Mbappe dhe Bernardo Silva nuk duan të largohen”, shtoi ai. “Sido që të jetë, kjo nuk është koha e përshtatshme të flasim për këtë. Ne do të bëjmë gjithçka që t’i mbajmë ata”, theksoi mes tjerash Vasilyev. Lemar kërkohet nga Manchester City, Mbappe nga Real Madridi derisa Manchester Unitedi insiston për anësorin portugez, Bernardo Silvan.

Artikulli paraprakGriezmann, në historinë e La Ligës me 100 golat e tij
Artikulli tjetërManchester United thyen Burnley