Vjedhja 100 milionë euro me koncensionin e laboratorëve

Vilma Nushi, duket se është pas koncesionit të fundit të laboratorëve me një vlerë 100 milionë dollarë për dhjetë vjetët e ardhshëm. Në fakt është një skemë abuzive, që me kushtet e vendosura mund ta bënte kushdo. Koncesionari, në këtë rast “Labopharma” në pronësi të një shtetasi grek me emrin Jani Karathano, duket se është thjeshtë një kompani e stisur e kompanisë mëmë së Vilma Nushit. Një kompani, e cila deklaron humbje deri në 137 mijë euro në vit, pra praktikisht e falimentuar se ka për gjë të fitojë një tender me shifra të tilla astronomike. Një ndër “lehtësirat” që i bëhen firmës që fiton tenderin është se veç financimit, vendosjes vetë të çmimit të analizave, të gjithë pacientët që vizitohen  apo mjekohen në institucionet shtetërore, do të jenë të detyruar t’i bëjnë analizat vetëm tek koncesionari i paracaktuar nga qeveria. Një veprim tjetër mafioz ky që rrezikon të falimentojë të gjithë sektorin privat të këtij shërbimi.

Milioner brenda natës

Por çfarë do të ndodhë me këto laboratore? Është një vjedhje e pastër, ku klienti i radhës nuk do të shpenzojë asgjë. Për ta bërë më të kuptueshme nga të gjithë, ajo që do të ndodhë është pak a shumë kjo. Klienti shkon me duar në xhepa dhe merr një copë letër ku e shpall fitues. Më pas, për vitin 2017 i akordohen rreth 10 milionë euro nga buxheti i shtetit, pas një kredie të marrë për këtë qëllim nga Banka Botërore, prej 65 milionë eurosh, ndërsa 25 milionë jepen nga buxheti. Sipas marrëveshjes në përdorim të tij kalojnë të gjitha ndërtesat e laboratorëve, kryesisht në Tiranë, por edhe në rrethe. Marrëveshja parashikon që me nisjen e punës, fitimi ndahet në 45 për qind të klientit, 20 për qind të shtetit dhe 35 për qind që mbetet për investime. Për çdokënd që ka njohuritë më minimale në ekonomi, kjo do të thotë që këtë punë mund ta bëjë dhe qytetari më i thjeshtë i këtij vendi. Ndërtesat janë, paratë janë marrë me kredi, klientela e garantuar dhe 45 për qind të fitimit janë të pastra në xhep. Po t’i shtosh këtu dhe 35 për qind të tjera, që me demek janë për investime shkon në 80 për qind. Pra, një person fizik që ka një numër NIPT-i që hapet me 200 lekë të vjetra në QKR. Është si të thuash të ngrysesh fukara dhe gdhihesh milioner, pa pasur asnjë qindrakë në xhep. Ose më qartë, pronari dhe investitori që në këtë rast është shteti të mjaftohet me 20 për qind të fitimit, ndërsa “hyzmetqari” që është koncesionari të marrë pjesën tjetër prej 80%. Kjo lloj teorie ekonomike nuk mund të ndodhë në asnjë sistem, qoftë në ekonomi tregu apo të centralizuar. Janë vetëm teori ekonomike, që mendja e një rilindasi mund ta pjellë dhe në rast se do të shpërndahej ndonjë çmim për vjedhjen e parave të taksapaguesve, natyrisht do të fitonte “Teoria Beqaj”… Kemi të bëjmë me një vendim skandaloz korrupsioni, i cili do të rrjepë hallexhinjtë e këtij vendi nga të gjitha anët. Jo vetëm do të paguajmë kredinë e marrë nga Banka Botërore për këtë shërbim, por do të duhet të paguajmë dhe tarifat që do të miratohen nga klienti i qeverisë. Një tjetër situatë është ajo e pranimit të analizave. Spitali publik dhe jo vetëm, por edhe poliklinikat shëndetësore shtetërore nuk do të pranojnë asnjë fletë analize tjetër të kryer në laboratorë të tjerë të licencuar, por vetëm në ato që janë kryer në laboratorët e klientit koncesionar të qeverisë. Një tjetër pasojë e këtij vendimi absurd dhe korruptiv është dhe frika e shprehur e punonjësve. Aktualisht, në këtë shërbim punojnë rreth 520 laborantë dhe 210 punëtorë të tjerë të ndihmës, të cilët do të kalojnë në varësi të koncesionarit, duke u shkëputur nga struktura e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kush është kompania

Koncesioni i laboratorëve është fituar nga kompania ‘Labopharma’. Kjo kompani sipas ekstraktit të saj në QKB është krijuar në vitin 2007 dhe pronari i saj me 100% të aksioneve është shtetasi Janis Karathano. I njëjti shtetas, Janis Karathano, është pronar me 100% të aksioneve edhe i kompanisë ‘Pegasus’ shpk. Në dokumentin e siguruar tregohet se në të kaluarën kjo kompani (Pegasus shpk) ka pasur një drejtuese të rëndësishme të quajtur, Nazife Bello, e cila është e ëma e drejtoreshës së Farmaceutikës në ministri, zonjës Shpresa Bello, raporton Hashtag. Al Kompania ‘Pegasus’ shpk, rezulton e lidhur dhe me koncesionin e rëndësishëm të ‘Check-Up’-it, të fituar nga biznesmenia Vilma Nushi. Sipas një raporti auditimi të ‘Deloitte&Touche’ për koncesionin  e ‘Check-Up’-it, është zbuluar se kompania ‘Pegasus’ shpk i ka dhuruar zonjës Nushi pajisjet laboratorike për ‘Check-Up’-in, ndërsa Nushi në këmbim ka detyrimin që të blejë tek firma ‘Pegasus’ të gjithë reagentët që i duhen. Granti i deklaruar mes dy kompanive është rreth 320 mijë dollarë. Një tjetër përfitim i rëndësishëm i firmës ‘Pegasus’ është koncesioni 2-vjeçar 2016-2018, për transfuzionin e gjakut, një biznesm i cili kap shifrën e 1.3 milionë dollarëve. Kompania ‘Labopharma’ që ka fituar koncesionin e laboratorëve ka si aktivitet tregtinë e produkteve farmaceutike, pajisjeve të laboratorëve etj. Në vitin 2015m qarkullimi i saj vjetor është rreth 137 mijë euro, ndërsa humbja është rreth 160 mijë euro po për atë vit. Shoqëria ka qenë e pezulluar deri në gusht 2015 dhe më pas është bërë sërish aktive. Periudhën më të mirë e ka pasur në vitin 2009, kur deklaroi rreth 730 mijë euro xhiro dhe fitime prej 240 mijë euro, por më pas aktiviteti i saj ka ardhur në rënie.

Qeveria edhe 7 milionë euro të tjera për laboratorët

Shëndetësia ka kaluar thuajse tërësisht në duart e privatit. Edi Rama do e quante Beqajn, reformator të madh dhe në fakt ashtu është. Askush s’mund të jetë aq i zoti sa ai për të gjetur hapësira për përvetësimin e fondeve. Së fundmi, në horizont po duket dhe koncesioni i radhës, ai i laboratorëve e vetmja gjë që i kish mbetur sistemit tonë shëndetësor. Më datë 28 nëntor të vitit të kaluar, qeveria vendosi që edhe ky shërbim t’i kalojë privatit. Por, nga një hulumtim në faqen e Kryeministrisë mungon edhe vendimi dhe procedurat që do të ndiqen. Ato u bënë të ditura vetëm, pasi u fitua tenderi. Dilemën e kësaj të fundit nuk ka mundur ta zgjidhë as deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e cila në një intervistë për “Ora News” të para disa kohëve do të deklaronte: “Kam kërkuar të më vihet në dispozicion një kopje e studimit, është përfunduar në dhjetor 2015 dhe është mbajtur i fshehtë. Ministri ka refuzuar të më vërë në dispozicion këtë studim, e ka sjellë vetëm ditën që është bërë seanca me të dhëna konfidenciale. Beqaj e do informacionin për vete për të bërë pazarin e radhës, si me tre koncesionet e tjera. Eksperiencat në vende të tjera thonë se nuk kanë pasur sukses. Më shumë ka pasur hije sesa dritë në këto koncesione. Ky koncesion po eksperimentohet për herë të parë, nuk ka përfshirë MASH. Kjo është afera e radhës. Qeveria tani harxhon 1 mln euro për laboratorët në vit, këta planifikojnë 8 mln euro”. Pra, për të njëjtin shërbim, shifra rritet me 7 milionë euro pa llogaritur fitimin që do të marrë koncesionari. Në fakt, këto shifra ishin përpara se të dilte fituesi i tenderit. Tashmë qeveria e ka vendosur do të harxhojë 10 milionë euro në vit, ose më saktë do i falë ato së bashku me fitimet që vijnë nga analizat.

Ja laboratorët që i kalojnë në përdorim firmës

Tiranë
Laborator Spitali nr. 1
Laborator Spitali nr. 2
Laborator Pediatria
Laborator Onkologjiku
Laborator Infektivi
Laborator Sanatoriumi
Laborator Materniteti 1
Laborator Materniteti 2
Laborator Poliklinika 1
Laborator Poliklinika 2
Laborator Poliklinika 3
Laborator Poliklinika 4
Laborator Poliklinika 5
Laborator Poliklinika 6
Laborator Poliklinika 7
Laborator Poliklinika 8
Laborator Poliklinika 9
Laborator Spitali i Traumës
Laborator Urgjenca Qendrore
Laborator Poliklinika Qendrore
Tiranë Laborator Dispanceria Tiranë
Në rrethe
Gjirokastër: 7 laboratorë klinikë-biokimikë
Shkodër: 9 laboratorët klinikë-biokimikë
Elbasan: 10 laboratorët klinikë-biokimikë
Fier: 10 laboratorët klinikë-biokimikë
Lezhë: 5 laboratorët klinikë-biokimikë
Kukës: 7 laboratorët klinikë-biokimikë
Dibër: 4 laboratorët klinikë-biokimikë
Korçë: 9 laboratorët klinikë-biokimikë
Vlorë: 8 laboratorët klinikë-biokimikë
Berat: 5 laboratorët klinikë-biokimikë
Durrës: 10 laboratorët klinikë-biokimikë

Koncesioni do të zgjasë 10 vjet

Koncesioni do të zgjasë 10 vjet në vlerën 13,005,966,000 lekë të reja (trembëdhjetë miliardë e pesë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë lekë pa TVSH). Po kështu kompania që do të fitojë një nga projektet më të mëdha ka të drejtë të marrë në punë punonjësit që i gjykon si të arsyeshëm. Data e fundit kur kompanitë mund të dorëzojnë ofertat e tyre për 18 spitalet është parashikuar 15 shkurti i 2017-ës.
Po si do të bëhet vlerësimi? Ministria e Shëndetësisë, me në krye drejtorin e Prokurimeve, Investimeve dhe Koncesioneve, Raimond Cimbi kanë parashikuar që pikët të fitohen në këtë mënyrë: 10 pikë për rrjetin laboratorik bashkëqendror (hub and spoke) dhe sistemin e Informacionit Laboratorik dhe Sistemi i Logjistikës, 15 pikë për planin e zbatimit të projektit dhe riinvestimi, 10 pikë burimet njerëzore dhe plani i trajnimit dhe 15 pikë plani i objekteve dhe pajisjeve, qasja e mirëmbajtjes dhe strategjia e zëvendësimit gjatë afatit të kontratës. 60 pikëshit do t’i shtohet edhe 40-pikëshi i ofertës ekonomike.

Artikulli paraprakMarseille synon Aymen Abdenour
Artikulli tjetërPërmes dialogut ose përballjes, populli do të fitojë