Një takim i planifikuar mes ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut në Izrael ka shkaktuar reagime. Por Gabrieli i quan takime të tilla normale në vizitat jashtë vendit.
Të martën ministri i Jashtëm gjerman qëndron për bisedime në Ramallah për të ripërtërirë procesin e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Krahas kësaj në program qëndron edhe një takim me përfaqësues të “shoqërisë civile”. Mes pjesëmarrësve është edhe organizata “Thyerja e heshtjes”, e cila shprehet mjaft kritike ndaj politikës izraelite të ngulimeve. Ajo bazohet në dëshmi të ushtarëve dhe rezervistëve në shërbimin e tyre në territoret palestineze. Raportimet janë anonime. Edhe një organizatë tjetër kritike ndaj gjendjes në territoret palestineze do të takohet me Gabrielin.
Netanjahu i zemëruar
Ky takim dukshëm e ka zemëruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu. Televizioni izraelit është shprehur se Netanjahu mendon të mos zhvillojë takimin e planifikuar me ministrin e Jashtëm gjerman. Ai mesa duket e ka vendosur Gabrielin para zgjedhjes – ose takim me aktivistët e të drejtave të njeriut ose me mua.
Në një bisedë në televizionin gjerman, “ZDF”, Gabriel u shpreh, se ai nuk e përfytyron dështimin e takimit me Netanjahun, kjo do të ishte për të ardhur keq. “Në vizitat tona jashtë është shumë normale që të kemi takime me përfaqësues të shoqërisë civile”. Në asnjë vend të botës nuk merr një përshtypje të qartë për zhvillimet në vend, nëse zhvillon takime vetëm në zyrat e qeverive, ka thënë Gabriel.
Organizata që duam të takojmë “është shumë kritike ndaj politikës izraelite në marrëdhënien me palestinezët”, ka theksuar Gabriel, duke shtuar se, “kjo është një temë aktuale, për të cilën duhet të krijojmë opinionin tonë. Prandaj është normale për mua, që të bisedojmë me ta”. Në shkurt kishte shkaktuar debat një takim i kryeministrit belg, Charles Michel me të dyja organizatat e lartpërmendura. Izraeli kishte porositur ambasadorin belg pas kësaj për të protestuar.