Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur në dy aksidente ditën e djeshme në Lushnjë dhe Tiranë. Bëhet e ditur se, një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Lushnjë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Zhamë, ku është përplasur për vdekje shtetasi Enver Muça. Nga informacionet e policisë, viktima ka qenë duke lëvizur me një motoçikletë, teksa është përplasur nga një makinë tip “Citroen”.
Ndërkohë, një aksident rrugor me pasojë plagosjen e tre personave ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën në Kamëz. Policia bëri të ditur se, aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:00, ku dy automjete janë përplasur mes tyre. Si pasojë e përplasjes njëri nga drejtuesit e mjeteve ka ngelur në brendësi të mjetit dhe ka qenë e nevojshme ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e tij.
Në Qendrën Spitalore të Traumës janë dërguar shtetasit F. P., 30 vjeç, K. K., 34 vjeç dhe M. M., 28 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti. Dëmet në dy mjetet e përplasura janë të konsiderueshme.