Tashmë është zyrtare, Edinson Cavani rinovoi kontratën me Paris Saint-Germain deri në vitin 2020. Informacioni qarkullonte prej ditësh në mediat sportive, por vetëm këtë të martë klubi francez publikoi lajmin në faqen zyrtare, në internet. Shuhen kështu të gjitha dyshimet mbi të ardhmen e uruguaianit, i cili prej kohësh ishte shënjestër e disa prej klubeve më të mëdha europiane. Marrëveshja aktuale e sulmuesit me parisinët përfundonte në vitin 2018, por ekipi i drejtuar nga Emery nuk dëshironte kurrsesi të humbiste një lojtar me cilësitë e Cavanit, duke gjetur akordin për zgjatjen e kontratës edhe për 2 vite të tjera.
I ardhur në korrik të 2013-tës, Cavani është një prej sulmuesve më të mirë të gjithë historisë së PSG. 30-vjeçari ka shënuar 125 gola në 192 ndeshje zyrtare dhe synon të kalojë statistikat e Zlatan Ibrahimoviç (156 gola në 180 ndeshje), për t’u bërë golashënuesi më i mirë. Deri në këto momente, Cavani ka fituar 11 trofe me fanellën e francezëve.
“Jam shumë i lumtur për këtë rinovim”, deklaroi Cavani, pasi hodhi të zezën mbi të bardhë, duke shtuar: “Gjithmonë kam dashur të qëndroj në Paris për ta çuar këtë skuadër dhe tifozët e saj në majën e futbollit botëror. Jam i bindur se kemi potencial për të fituar gjithçka dhe në sezonin e ardhshëm do të jemi edhe më ambiciozë”, përfundoi 30-vjeçari.