60 milionë euro për rikonstruksione zyrash

Partia Demokratike ka detajuar dje aferat korruptive të qeverisë përmes shifrave dhe të dhënave zyrtare. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Sherefedin Shehu citoi dje  të dhënat e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili tregon përmasat e rrezikshme të korrupsionit dhe grabitjes qeveritare të denoncuara vazhdimisht nga Partia Demokratike. Ai bëri tëditur se vetëm për luks dhe rikonstruksion zyrash, qeveria ka shpenzuar rreth 60 milionë euro.
Shehu bëri të ditur se vitet 2014 dhe 2015 do të mbahen mend si vitet e abuzimeve dhe grabitjes më të madhe qeveritare. Në këto 2 vite, 2.2 miliardë euro kanë shkuar nga arka e shtetit në xhepat e Ramës dhe njerëzve afër tij, si edhe për kriminelët që e sollën dhe po e mbajnë në këmbë këtë qeveri.
Më tej ai solli në vëmendje të dhënat e vitit 2014, ku vjedhjet dhe abuzimet ishin 892 milionë dollarë nga të cilat 120 milionë favore dhe vjedhje të të ardhurave të buxhetit, 560 milionë vjedhje në tendera dhe pasuri publike dhe 212 milionë dollarë nga favoret dhe abuzimet e kompanive publike ku abuzimet më të mëdha, mbi 130 milionë dollarë, janë bërë në “Albpetrol”.
Në vitin 2015 abuzimet janë thelluar dhe vjedhjet në të ardhurat, prokurimet dhe shpenzimet e tjera publike arrijnë 1.03 miliardë dollarë dhe abuzimet në sektorët e tjerë publikë arrijnë në 290 milionë dollarë.
“Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se rritja e vjedhjeve dhe abuzimeve me paratë e qytetarëve po bëhet e frikshme. Vjedhjet dhe abuzimet në vitin 2015 ishin 8.5 herë më të larta se në vitin 2013, por 79 herë më të larta se në vitin 2010. Në këtë vit, ka një peshë të madhe afera e qeverisë me CEZ, por edhe po të zbresim efektin e kësaj afere vjedhjet dhe abuzimet janë përkatësisht 4 dhe 37 herë më të larta se më 2013” tha deputeti demokrat.
Nga ana tjetër ai bëri të ditur se vjedhjet dhe abuzimet më të mëdha janë bërë në tatime, dogana, prokurime dhe pronën publike. Në vitin 2015 ato janë rritur kundrejt vitit 2013 përkatësisht në tatime 100 herë, në dogana 11 herë, në prokurime 7.4 herë dhe në pronën publike 7.5 herë.
Shifrat e mësipërme, tha deputeti demokrat, nuk përfshijnë gropën fiskale nga morealizimi i të ardhurave që në 2 vjet është mbi 400 milionë dollarë apo marrja e 1.32 miliardë dollarë borxh për palma, shkurre dhe shpenzime luksi. “Këtu nuk janë as 88 milionë dollarët e vjedhura nga miqtë personalë të Ramës në tendera apo 91.6 milionë dollarët e tjerë që janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi dhe bileta avionësh” tha Shehu.
Deputeti demokrat tha se këto “janë faktet dhe abuzimet e Kryeministrit më të korruptuar në Ballkan. Ai e ka kthyer arkën e shtetit në arkë personale. Por prisni se nuk keni parë asgjë akoma. Në vitin 2016 pritet që vjedhjet dhe shpërdorimet e parave publike të rriten. Investimet publike do të jenë në nivelin më të ulët që nga viti 1997, vetëm 4% të PBB. Përveçse të ulura, vetëm 27 miliardë lekë, ose më pak se gjysma e tyre do të shkojnë për punime civile si rrugë, ujësjellësa, shkolla dhe spitale. Investimet për rrugë dhe ujësjellësa përgjysmohen nga 35.5 miliardë lekë, në 19.8 miliardë lekë.
Për t’u vjedhur më kollaj dhe kënaqur sa më shumë vjedhës, investimet janë copëtuar në 1300 projekte dhe prej tyre 45 projekte ose 60 milionë dollarë janë për rikonstruksione të zyrave të qeverisë. Paratë e Rrugës së Elbasanit, korridorit të Jugut, rrugës së Pogradecit, rrugës së Arbërit, rrugës Qukës-Qafë-Plloçë dhe projekteve të tjera të rëndësishme janë në xhepat e Ramës dhe të kriminelëve rrotull tij tha Shehu ndërsa shtoi se zhvillimi i Shqipërisë mbetet peng i Ramës dhe klikës së tij. Çlirimi i Shqipërisë nga duart e Ramës është emergjencë kombëtare.

A.Shahini

Artikulli paraprakEdvin Shullazi nuk dënon aktin e Milit të Partisë
Artikulli tjetërKulla për Shullazin, pallati për “Hakmarrjen”