Në spitale mungon prej 8 muajsh ilaçi Metadon

Mungesa e ilaçeve është një tjetër problem shqetësues në spitale. Ish-kryeministri Berisha ka denoncuar mungesën e ilaçit Metadon në spitale, medikament që përdoret nga pacientët që kanë qenë të varur nga droga. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha ka publikuar ankesën e një të riu, i cili shkruan se, ka 8 muaj që ky ilaç mungon.
“Në Narko-republikën e Noriegës nuk lejohet ndërprerja e marrjes së drogës! Prej tetë muajve në Shqipëri mungon Metadoni, ilaçi jetik për ata që ndërpresin marrjen e drogës. Lexoni mesazhin tronditës të njërit prej të rinjve që kanë ndërprerë marrjen e drogës!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Zoti Berisha. Po ju shkruaj ju me shpresën e madhe se do i jepni jehonë hallit që kam unë dhe 10 000 persona të target grupit tim. Në radhë të parë shpresoj, se do e kuptosh hallin tonë se ju keni qenë vetë mjek. Unë jam një viktimë e drogës heroinë dhe e kam fituar atë betejë falë medikamentit “Metadon” që në qeverisjen tuaj nuk na mungoi kurrë. Sot, Ministria Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë 8 muaj që nuk bëjnë tenderimin dhe situata është bërë tepër kritike, pasi gjithë ky target grup për të kompensuar këtë medikament do të kthehen sërish te droga; Katastrofë. 10 000 pacientë po hidhen në rrugë.
Këta 10 000 persona sikur nga 2gr. heroinë në ditë i bie 2 kile në ditë të shitura me pakicë dhe fitimi kalon 100 mijë euro dita. Kjo punë po bëhet me kast se po afrojnë zgjedhjet dhe i duhen lekë, se furnitorët kryesor të heroinës janë vetë shefat e Antidrogës, pasi nuk e asgjësojnë drogën e sekuestruar, por e rihedhin sërisht në treg. Një pjesë e këtyre pacientëve janë në burg dhe kanë nisur revoltat dhe duke prerë damarët se i mungon ilaçi më jetik për ta. Për ç’farë të shkruajta më lart është çdo gjë e vërtetë dhe nëse kam shtuar një presje mbaj përgjegjësi. Të lutem verifikoje dhe jepi jehonë hallit tonë. Sinqerisht dhe respekt”, shkruan qytetari.

Artikulli paraprakSasi të reja droge nga Shqipëria në Greqi
Artikulli tjetërKryepleqtë dorëzojnë vulat: S’i kontrollojmë dot parcelat me kanabis