Deputeti i Ramës, Sadri Abazi ka nisur një tjetër ndërtim të paligjshëm në mes të Tiranës. Denoncimi është bërë nga banorët e një pallati tek “Zogu i Zi”, të cilët kanë kërkuar ndihmën e kreut të Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi. Një nga banorët i shkruan Malltezit se, deputeti Sadri Abazi ka nisur ndërtimin e një kati shtesë tek një pallat 6-katësh dhe askush nuk ndërhyn për ta ndaluar ndonëse është pa leje. “Mirëmbrëma, Abi. Të lutem, kur mundesh të vish këtu tek shtëpia ime te ‘Zogu i Zi’, që është ngjitur me pallatin e deputetit Sadri Abazi. Kanë filluar punimet që të ngrihet të paktën edhe një kat. Jemi mbledhur të gjithë banorët e pallatit dhe presim edhe një sensibilizim nga ju”, shkruan qytetari.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Malltezi shkruan se, Sadriu do të ndërtojë edhe kat të 7-të të paligjshëm mbi 6-katëshin pa leje në tokë të pronarëve të Tiranës, ndërsa shteti nuk ndërhyn. “Shteti i pushtave të Edvinit: Sadriu prapë ndërtim të paligjshëm, por shteti po siguron shëndetin mendor të Edvinit. Shihni reagimin e banorëve, që Sadriu do të ndërtojë edhe kat të 7-të të paligjshëm mbi 6-katëshin pa leje në tokë të pronarëve të Tiranës.
S. Negollari nga Kavaja u burgos për ndërtim të paligjshëm se po rregullonte çatinë pa leje dhe ndërsa vuante dënimin, pushtat e shtetit dhunuan ligjin dhe çanë autostradën dhe i morën jetën edhe dy fëmijëve të tij.
Ndërkaq, deputeti i Edvinit ndërtoi 5 pallate 12-katëshe pa leje, 1 objekt 6-katësh në autostradë pa leje, 1 objekt tjetër 6-katësh që i zë edhe diellin pallatit ekzistues. Para 6 muajsh, ngriti shtesë kati të 13-të mbi pallatin 12-katësh pa leje dhe tani edhe shtesë të katit të 7-të mbi objektin 6-katësh pa leje tek ‘Zogu i Zi’! Shtet më palaço, më të pafytyrë dhe me standarde sipas pushtave të shtetit, kurrë nuk ka pasur ky vend. Kjo është Shqipëria që i duhet veç përfaqësuesit të dreqit!”, shkruan Malltezi.
Bëhet e ditur se, për këtë pallat ka patur një vendim për prishje, por qeveria jo vetëm nuk e zbatoi, por e lejon të ndërtojë një kat shtesë pa leje.