Byroja, hetim ministrave dhe deputetëve sipas modelit rumun

ABC News ka siguruar draftin ekspertëve të huaj, ku tregohet si do të funksionojë Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Nën shembullin e Rumanisë dhe të Kroacisë, agjentët e Byrosë do të kenë mundësi të hetojnë korrupsionin për çdo zyrtar të lartë, përfshirë edhe njëri-tjetrin. Fatkeqësisht Byroja kërkon kohë të marrë formë, për shkak se agjentët e saj do të trajnohen në FBI.
Drafti i ekspertëve europianë dhe amerikanë që po asistojnë reformën shqiptare në drejtësi, detajon varësinë, llogaridhënien, emërimin, shkarkimin dhe hetimin e vetë anëtarëve të strukturës së posaçme të Prokurorisë për hetimin e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta.
Kreu i SPAK përkufizohet si një kryeprokuror i ri, madje dhe më i fortë se ai aktual.
Ekspertët propozojnë që struktura e Prokurorisë të jetë përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë përfshirë edhe deputetët dhe asnjë person nuk duhet të ketë mundësi të ndërhyjë. Por ata, ndërkohë do të kenë mundësi të ndjekin penalisht edhe njëri-tjetrin deri tek drejtuesi i SPAK, sipas shembullit rumun e kroat.
“Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme mund të hetojnë dhe ndjekin penalisht njëri-tjetrin në rast se kanë dyshime për korrupsion apo krime të tjera, njësoj siç bën DNA në Rumani dhe USKOK në Kroaci. Më e shumta, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund t’i paraqesë Kuvendit ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë një raport vjetor me shkrim”.
Drejtuesi i Prokurorisë së posaçme do të zgjidhet e shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe llogarinë do ta japë aty. Momenti i shkarkimit bëhet dhe më i rëndësishëm, kur si aprovohet si opsion i mirë zgjedhja e tij me shumicë të thjeshtë, por shkarkimi me të cilësuar.
Sipas Komisionit të Venecias (KV ¶ 48), Këshilli i Prokurorisë duhet të largojë nga detyra Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, kjo kufizuar në rastet e sjelljeve të rënda. Për shembull, modeli i diskutuar nga Komisioni i Posaçëm për Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, që emërimi të bëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me shumicë të thjeshtë, por të largohet me shumicë të kualifikuar, është një zgjidhje e mundshme.
Ekspertët nuk mbështesin zgjedhjen e drejtuesit të SPAK nga Parlamenti. Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm në këtë mënyrë nuk e ka ruajtur atë nga ndikimi politik, vërejnë ata.
“Për momentin, Prokurori i Përgjithshëm, i cili duhet të hetojë edhe në ngarkim të anëtarëve të Parlamentit, zgjidhet, i rinovohet mandati dhe largohet nga detyra nga Parlamenti. Ky nuk ka qenë një mekanizëm i efektshëm dhe ruan ndikim politik. Çdo sistem i zgjedhur duhet të pakësojë ndikimin politik”.
Euralius dhe OPDAT nuk e konsiderojnë të këshillueshme ngritjen sa më shpjet të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për shkak të llogarisë së mëposhtme Byroja mund të mos ngrihet këtë vit.
“Prokurorët e SPAK-ut dhe Drejtuesi i tyre zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Anëtarët e Këshillit duhet fillimisht të vlerësohen, të kalojnë verifikimet paraprake dhe të zgjidhen. Ky organ nuk ekziston sot. Kjo procedurë shmang ndërhyrjen politike dhe garanton një kryeprokuror të ri, i cili është sa më i pavarur që të jetë e mundur. Për më tepër, agjentët e BKH-së duhet të verifikohen dhe të përzgjidhen, gjë që do të kërkojë kohë (mbase tre muaj). Pastaj planifikohet që ata të trajnohen nga FBI-ja jashtë Shqipërisë. Procesi i trajnimit do të zgjasë të paktën gjashtë muaj”.
Prokuroria e Posaçme, Byroja dhe procesi i kontrollit te gjyqtarëve e prokurorëve të konsideruara si komponentja antikorrupsion e Reformës në Drejtësi, është ajo për të cilat palët kanë rënë dakort. Ekspertët nuk kanë dhënë formular për emërimet në institucionet e drejtësisë. Për ta, kjo është çështjë politike dhe ajo çfarë presin janë nga Komisioni i Posaçëm i Reformës janë formulat e kompromisit për popullimin e institucioneve në një arkitekturë që nuk ndryshon.

Artikulli paraprakDjali i hallës së Beqajt tek koncesionet në Shëndetësi
Artikulli tjetërNishani-Schulz: Konsensus për reformat e integrimit