Interesat e bonove të thesarit frenuan këtë javë ciklin afërsisht tremujor të rënies së vazhdueshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u shitën me një interes mesatar të ponderuar prej 1.8%, në nivel pothuajse të njëjtë me ankandin e mëparshëm, të zhvilluar në fillim të muajit prill. Ndalimi i rënies së mëtejshme të interesave erdhi si rezultat i rënies së kërkesës së tregut për blerjen e bonove qeveritare. Për herë të parë këtë vit, në ankand nuk u sigurua dot e plotë shuma e shpallur për financim, prej 8.7 miliardë lekësh. Oferta totale u kufizua në rreth 6.3 miliardë lekë, çka tregon se gjendja e lartë e likuiditetit e kanalizuar në tregun e titujve qeveritarë mund të jetë drejt fundit e, bashkë me të, edhe cikli i rënies së interesave. Sipas ekspertëve, rënia e interesave të bonove në muajt e parë të vitit erdhi si pasojë e shtimit të parasë në treg, ku me gjasa një rol kanë pasur operacionet e injektimit të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë. Duket se likuiditeti i tepërt mund të jetë ezauruar, ndërkohë që edhe ulja e interesave gradualisht ka zbehur stimujt e investitorëve për të blerë bono. Ashtu siç pritej, cikli i ri i uljes së interesave po frenohet në nivele më të larta nga sa ndodhi vitin e kaluar, ku për instrumente të veçanta, interesat ranë edhe më poshtë se norma bazë.
Kryesore
Continue to the categoryBasha gati shpalosjen e kandidatëve të parë për zgjedhjet, ja kur...
Demokratët Euroatlantikë intensifikojnë përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa pritet që Këshilli Kombëtar të mblidhet më 10 shkurt për të miratuar kandidaturat e...