Në rrjeshtat e më poshtëm nuk do të ndalem të shkruaj për historinë e “Vatrës”, se për të kanë shkruar shumë autorë të nderuar dhe do të vazhdojnë të shkruajnë edhe shumë të tjerë në të ardhmen. Por, duke u afruar ditëlindja e 105 e “Vatrës” (28 prilli 2017), nga pozita e Nënkryetarit, thjeshtë dua të sjellë një mesazh respekti (nga brezi i sotëm i vatranëve), për të gjithë vatranët e drejtuesit e mëparshëm të kësaj Federate Panshqiptare të Amerikës, e cila kreu misione të shumta në dobi të çështjes së madhe kombëtare. Historia e Shqipërisë do të ishte e mangët, e cunguar dhe e pa plotë, në qoftë se nuk përfshinë brenda saj punën e madhe, mundin, djersën, paratë e deri gjakun e shumë vatranëve. Vatra është në një farë forme binjake me shtetin shqiptar (madje disa muaj më e moshuar), por që për shtetin ajo shpesh herë u bë frymëzuese, financuese, udhëheqëse e deri oponente, falë punës dhe inspirimit të drejtuesve të saj. Vatra i dha shtetit shqiptar një kryeministër, ministra, deputetë, zyrtarë të niveleve të ndryshme, komandantë e ushtarë të mbrojtjes kombëtare, orkestrën frymore, muzikantë, letrar, gazetar, libra, përkthime e deri vlera të konsiderueshme monetare. Vatra e lidhi fatin dhe të ardhmen e Kombit Shqiptar me Kombin e madh amerikan, mikun më të madh të të gjitha kohrave, i cili në dy raste vendimtare e mbrojti atë nga shpërbërja (Lufta e Parë Botërore) siç është rasti i Presidentit Willson në Lidhjen e Kombeve dhe Presidenti Klinton me problemin e Kosovës që e shpëtoi përfundimisht nga gjenocidi serb.
“Vatra”, nëpërmjet drejtuesve të saj, kultivoi në radhët e veta dhe përhapi në diasporën shqiptaro-amerikane e në dy shtetet shqiptare frymën demokratike të traditës amerikane. “Vatra” kreu rolin e shtetit edhe kur ai nuk ekzistonte ose ishte i pafuqishëm të kryente rolin e tij. “Vatra” me fjalën e veprimtarinë e saj, mbrojti atdhe e fe. “Vatra” ka martirët e saj që janë dhe martirë të Kombit, ata që dhanë jetën për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe ata që dhanë jetën në burgjet e diktaturës komuniste për një Shqipëri të lirë e demokratike sipas modelit amerikan.
Të gjitha këto (dhe shumë të tjera), na obligojnë t’u shprehim mirënjohje të thellë nga largësia e 105 viteve themeluesve, martirëve dhe veprimtarëve të dalluar të “Vatrës”: Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Lambi Cikozi, Kristo Kirka, Elia Tromara, Kosta Vasili, Kostë Cerkezi, Kristo Dako, Aqif Permeti, Kolë Tromara,… e deri tek tre të fundit Arshi Pipa, Agim Karagjozi dhe Gjon Bucaj. Dashuria për Shqipërinë dhe Amerikën, ndjenja e kolektivitetit në vendimmarrje, ndershmëria, respekti për njëri–tjetrin, qenë gjëra të cmuara që drejtuesit e “Vatrës”, përcollën tek degët dhe vatranët e thjeshtë.
Në Kanunoren e “Vatrës” (botim i vitit 1926), themeluesit nënvizuan në Nyja 5 se: “Vatra” nuk duhet të merret me politikë”. Kjo thënie, është vënë në Kanunore nga themeluesit e saj për të nënvizuar se në SHBA, “Varta” nuk mund të marrë pjesë si formacion as në zgjedhjet vendore dhe as në ato qëndrore dhe as që mendohet të jetë element politikëbërëse në SHBA. Por, nga ana tjetër, për çështjet e Kombit shqiptar, “Vatra” ka bërë e do të vazhdojë të bëjë politikë, madje neni i sipërpërmendur në Kuvendin e 2013-ës është ndryshuar si më poshtë: “Fryma e “Vatrës” ka qenë dhe do të mbetet interesi i përgjithshëm kombëtar. Vatra frymëzon dhe përkrah ato forca dhe rryma politike që kanë program demokratik, progresist dhe përparimtar. “Vatra” i përmbahet idealit një gjuhë, një komb, një shtet. “Kjo frymë dhe ky ideal vjen që nga themeluesit e “Vatrës”, të cilëve breznitë e reja do t’u jenë mirënjohes përjetë.
Mendoj se ka ardhur koha, që edhe dy shtetet shqiptare duhet t’i hedhin sytë edhe nga “Vatra”, në mënyrë që t’i kthejnë asaj një pjesë të “borxhit” që i kanë, duke krijuar mundësinë që në të ardhmen e afërt të investohet për të ngritur në NY, qendrën multikulturore “VATRA”. Qendër e cila të përmbush më mirë nevojat e vatranëve e të komunitetit për veprimtari kulturore, arsimore, artistike, biznesi, familjare etj.
Edhe një herë nga ditëlindja e 105-të e Vatrës, mirënjohje të pa kufishme për të gjithë ata vatranë që dhanë jetën, u gjymtuan, dhanë pasurinë, u lodhën e munduan në drejtimin dhe veprimtarinë konkrete të “Vatrës”.
Nënkryetari i “Vatrës”
ASLLAN BUSHATI