Në një shkrim me titullin, “Hysaj, mbreti i Shqipërisë”, faqja e specializuar sportive “Tuttonapoli.net” i kushton një hapësirë të madhe anës tjetër të mbrojtësit shqiptar që ka arritur të fitojë edhe zemrat e napoletanëve. Në fillim kjo faqe e vë theksin në faktin se ai është kapiteni më i ri në historinë e kombëtares shqiptare. “Tuttonapoli.net” gërmon në rrënjët e familjes së lojtarit shqiptar duke e cilësuar qytetin e tij të lindjes, Shkodër si “Firenzen” e Shqipërisë. Në rrugëtimin që gazetari bën, sjell në vëmendje se Shkodra rrethohet nga një natyrë mahnitëse, ku malet kombinohen me lumenjtë dhe liqenin, ndërsa shton se qyteti prej 114 mijë banorësh mund të arrihet shumë lehtë nga aeroporti “Nënë Tereza”.
“Tuttonapoli.net” thekson gjithashtu se qyteti ku lindi Hysaj ka si momument qendror kalanë e Rozafës të ngritur në një kodër, ndërsa Shkodra është një qytet universitar ku ka lindur teatri i parë shqiptar dhe është hapur kinemaja e parë në vend. “Në vitin 1888 u ndërtua madje edhe një observator astronomik”, thekson faqja sportive italiane që shton se Shkodra e Hysajt përfaqësohet në futbollin shqiptar nga Vllaznia. “Gjithsesi, Elseid Hysaj, mbreti i Shqipërisë, momentalisht është mbreti i Napolit”, shkruan në fund “Tuttonapoli.net”.