Nuk ka fitues dhe as gola në derbin e Manchesterit, ndalesa e dytë sezonale në kampionat për dy skuadrat e qytetit me një peshë të madhe në futbollin anglez. City dhe United ndahen në paqe duke ruajtur “status quo”-në në klasifikim me skuadrën e Guardiolës që mbetet në vendin e katërt me 1 pikë më shumë se djemtë e Jose Mourinhos. Një duel titanësh në fushën e blertë dhe në stol mes dy prej emrave më të njohur të trajningut botëror, por që përveç emocioneve dhe rasteve të shumta si ai i minutës së 9 ku Aguero humbi një rast ideal, nuk shkoi më shumë se barazimi.
United replikoi në të 25-ën me Mkhitaryan, por armeni rezultoi i pafuqishëm për të bërë diferencën duke nxjerrë në pah edhe mungesën e cilësisë në skuadrën e Mourinhos pa Ibrahimoviç dhe Pogba, dy liderët e kësaj skuadre. Sërish Aguero, por De Gea tregoi se përse është kthyer në një obsesion për presidentin e Realit, Florentino Perez. Reagim i shkëlqyer i spanjollit që ruajti portën të paprekur dhe i dha mundësinë Manchester United të tentonte golin e fitores në pjesën e parë kur Herrera nuk u tregua i saktë në sekondat e fundit. Me mbylljen e pjesës së parë u mbyll edhe sipari i kapitullit spektakolar pasi në të dytën skuadrat u treguan të kujdesshme për të mos pësuar dhe ia dolën mbanë duke lënë të hapur çështjen e vendit të katërt, pasi tashmë dy skuadrat e Manchesterit do të duelojnë në distancë për biletën e fundit të UEFA Champions League.
Manchester City dhe Manchester United kanë mbyllur me një barazim pa gola që në fakt nuk kënaq asnjërën skuadër duelin e tyre direkt në kampionat. Manchester City dominoi pjesën e parë, duke goditur edhe shtyllën me Agueron, ndërsa për United, mundësia më e mirë për të shënuar ishte ajo në fundin e këtij fraksioni loje me Herrerën.
Dominimi i ekipit të Guardiolës vazhdoi edhe në pjesën e dytë me Aguero, De Bryjn e Sterling që u shfaqën disa herë para De Geas, por gardiani i “Djajve të kuq” u shfaq në lartësinë e duhur duke ruajtur portën e paprekur.
Ndeshja u mbyll me tension për shkak të një çmendurie të Fellainit, i cili pasi mori një karton të verdhë për një faull ndaj Agueros, shkoi dhe goditi me kokë sulmuesin argjentinas duke merituar me të drejtë të kuqin. Në epërsi numerike, në minutat e fundit, City mbylli në portë United me shpresën që të arrinte të shënonte një gol që do t’i jepte fitoren, por nuk ia doli mbanë.
Barazimi nuk ndryshon pozitat e dy skuadrave, me City-n që mbetet në të katërtin dhe United në të pestin.