Juve fiton Champions

Legjenda e Real Madridit, Luis Figo beson se Juventusi ka aftësi për të triumfuar në Ligën e Kampionëve, megjithëse sipas tij nuk ka favorit në këtë fazë të kësaj gare. “Kur arrin në gjysmëfinale, nuk ka asnjë favorit”, tha fillimisht Figo për “Gazzetta dello Sport”. “Megjithatë, unë besoj se klubet që janë më të vjetra fitojnë, sidomos në Ligën e Kampionëve. Se historia dhe tradita për ata që kanë fituar më shumë mbizotëron në fund, por në dy ndeshje çdo gjë mund të ndodhë”, shtoi ai.
“Fakti që Juve është në gjysmëfinale do të thotë se ata janë të fortë, veçanërisht për shkak se kanë eliminuar Barcelonën dhe ekipet e tjera të forta, se ata janë rritur dhe kanë një shans për të fituar Ligën e Kampionëve”, përfundoi portugezi. Juventusi do të përballet në gjysmëfinale me Monacon, ndërsa Real Madridi me Atletico Madridin. Ndeshjet e para zhvillohen javën e ardhshme.
Ndërsa trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane edhe njëherë ka përsëritur se nuk do t’ia ndryshojë pozicionin Cristiano Ronaldos, pavarësisht se sipas tij, CR7 ka aftësi të luajë edhe si sulmues klasik. Portugezi, ka filluar të marrë kritika këtë edicion, por Zidane ua ka kujtuar se CR7 ka thyer rekorde të ndryshme, duke shënuar gola nga ai pozicion.
“Ju e dini se çfarë mendoj për pozicionin e Cristiano Ronaldos. Ai gjithmonë ka luajtur si anësor dhe për shkak të cilësive të tij, mund të luajë edhe në qendër”, tha fillimisht Zizu. “Ai është i mrekullueshëm. Pozicioni i tij gjithmonë ka qenë anësor dhe kjo nuk do të ndryshojë. Ai ka shënuar shumë gola nga ai pozicion, nuk duhet ta harrojmë këtë”, shtoi Zidane.
Ndërkohë, Cardiffi ka nisur përgatitjet për të pritur finalen e Ligës së Kampioneve edhe pse nuk janë zhvilluar ende ndeshjet gjysmëfinale të këtij evenimenti. Biznesi këto ditë në kryeqytetin e Uellsit duket se po ecën me ritme shumë të shpejta dhe këtë e tregojnë të ardhurat e përfituara nga hotelet dhe strukturat e tjera pritëse të këtij qyteti.
Tashmë të gjesh për një dhomë të lirë në hotelet e Cardiffit është pothuajse një mision i pamundur, pasi të gjitha dhomat janë prenotuar nga persona që kanë pranuar të paguajnë shifra të çmendura. Kështu për t’u akomoduar në “Student Village Newport” që është 20 km larg kryeqytetit uellsian duhet paguar 789 euro për dhomë, ndërkohë që tarifa në një ditë normale është 59 euro.
Ndërsa për një apartament me 6 dhoma gjumi, tarifa arrin deri në 4329 euro. Çmimet e kripura prekin edhe tendat, vlerat e të cilave arrijnë deri në 2000 euro secila. Për ata tifozë që nuk ua mban xhepi që të shpenzojnë shifra të çmendura, zgjidhja e vetme është akomodimi në hotele që janë të paktën 40 km larg Cardiffit, ku çmimi për një dhomë arrin deri në 43 euro.

Artikulli paraprakHolanda mendon rikthimin e Dick Advocaat në pankinë
Artikulli tjetërKthehet Neymar, Iniesta në dyshim