Sulmuesi brazilian Neymar do të rikthehet në radhët e Barcelonës, pas mungesës për shkak pezullimi, dhe do të jetë një motivim shtesë për ekipin blaugrana në derbin katalanas kundër Espanjolit. Trajneri Luis Enrike mbajti të lartë moralin e skuadrës pretendente për titullin në javët finale të sezonit që do të vendosin nëse froni do të jetë për Barcelonën apo për Realin.
Sidoqoftë në derbin e së shtunës, Barça mund të mos ketë në formacion kapitenin Andres Iniesta, që vuan një dëmtim në muskujt e kofshës. “Neymar është plotësisht gati të luajë. Nuk do t’i përgjigjet provokimeve të mundshme, pasi është specialist në menaxhimin e këtyre situatave. Nëse ka një futbollist që vuan më shumë faulle në La Liga, ai është Neymar, kështu që besoj do të bëjë më të mirën edhe ndaj Espanjolit”, tha trajneri Luis Enrike.
Skuadra blaugrana ka treguar varësinë ndaj Lionel Mesit në 3 ndeshjet që mungoi Neymar, me argjentinasin që shënoi plot 6 herë, ku pika kulmore ishte “El Clasico”. Mungesa të tjera në derbin e katalonjës, do të jenë Zheremi Matjë’, Rafinja dhe Vidal. Barcelona aktualisht kryeson La Ligën me pikë të barabarta me Realin, por Galaktikët kanë një ndeshje më shumë për të zhvilluar.
Luis Enrique, trajneri i Barcelonës, e ka pranuar se ndeshjen ndaj Espanyolit nuk do të jetë aspak e lehtë. “Fakti i të qenit një derbi, nënkupton se kjo është një lojë e veçantë”, ka deklaruar Enrique në konferencën për media. “Renditja në tabelë nuk është i rëndësishëm dhe do të jetë një lojë e vështirësisë së lartë dhe intensitetit të lartë”, ka theksuar ai. Ndeshja mes Espanyolit do të zhvillohet të shtunën nga ora 20:45.