Jo zgjedhje pa opozitën, aleatët e PD i përgjigjen ambasadorëve

Partitë aleate të Partisë Demokratike kanë qenë të vendosura për të mos hyrë në zgjedhjet e 18 qershorit pa qeveri teknike dhe pa rishikim të Kodit Zgjedhor, duke i rikujtuar dhe një herë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë. Kështu kanë deklaruar dje aleatët me ambasadorët e BE, të SHBA dhe OSBE, ku ishin thirrur për t’u informuar rreth negociatave me të dërguarit e PPE disa ditë më parë. Përfaqësuesit e partive parlamentare të  PR, PBDNJ, PAA, ja kanë bërë të qartë ambasadorëve prezent se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, ndërkohë që sipas Ndokës ra në sy një mosrakordim mes qëndrimeve të BE të përfaqësuar nga zonja Romana Vlahutin dhe ambasadorit të SHBA, Donald Lu.

Lu: Nëse mbahen zgjedhjet me 18 qershor, do jenë më të këqijat që mendohen

Një prej pjesëmarrësve në takim i tha gazetës “RD” se, çfarë qëndrimi ka mbajtur ambasadori Lu për zgjedhjet e 18 qershorit. Ai mësohet t’i ketë thënë përfaqësuesve të 15 partive të majta e të djathta në këtë takim se, “Në rast se zgjedhjet do të bëheshin në 18 qershor, ato do të ishin zgjedhjet më të këqia që mund të mendohen”. Deklarata e mbajtur në takimin me dyer të mbyllura nga ambasadori LU është e ndryshme nga qëndrimi publik, të cilin ai mbajti dy ditë më parë. Përmes kësaj deklarate duket qartë se Lu nuk është i sigurtë se me 18 qershor do të ketë zgjedhje, ndërsa pohon se edhe nëse bëhen ato do të jenë më të këqijat të menduara, gjë që lë shteg për të komentuar legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve, të cilin ai e përmendi dy ditë më parë.
Duke iu referuar deklaratave rreth legjitimitetit të zgjedhjeve të tij, Nard Ndoka i ka kujtuar ambasadorit amerikan se dhe kohën e komunizmit, zgjedhjet ishin të ligjshme dhe votohej 99.99% për një parti të vetme. Partitë  aleate i kanë kujtuar ambasadorit amerikan, refuzimin e konsensusit për qeveri teknike nga ana e Ramës si dhe spërdredhjet politike, të cilat çojnë në fundosjen e çdo marrëveshjeje. Përfaqësuesi i PR i ka kujtuar ambasadorit amerikan dhe veprimet e Fatmir Xhafajt në Policinë e Shtetit, me ndërrimin e të gjithë kupolës së policisë. “Në rast se mazhoranca e ka vullnetin për të bërë marrëveshje me opozitën, atëherë përse gjithë këto ndryshime, kur dihet roli i policisë në zgjedhje. Në rast se do të ishte arritur një marrëveshje me Ramën kryeministër do i pranonte ai lëvizje të tjera, kur sapo i ka bërë? Ky është një tjetër shembull se, Rama nuk do një marrëveshje, por kërkon zgjedhje fasadë”, ka thënë Madhi.

Debati me Bochardt

Një përplasje tjetër ka qenë ajo e Nard Ndokës kreut të PDK-së me ambasadorin e OSBE-së Bernd Bochart, i cili duket se ka mbajtur një qëndrim të njëanshëm në këtë histori. Kreu i PDK i ka thënë Bochardt se, institucioni që ai drejton, por dhe ai vetë është fajtor për këtë situatë, duke mbajtur qëndrime që bien në kundërshtim me parimin e zgjedhjeve të lirë. “Ju patët thënë disa kohë më parë se, votimi elektronik është i pamundur, ndërsa tre katër ditë më parë thatë që ky votim mund të realizohet?. Ju jeni përgjegjës për këtë situatë” mësohet t’i jetë drejtuar Ndoka. Nga ana e tij, Bochardt duke kundërshtuar atë çka tha vetëm disa ditë më parë, ka këmbëngulur sërish se ky votim nuk mund të bëhet. Por sërish Bochardt e ka pasur fjalën për zgjedhjet e 18 qershorit, por pa mohuar faktin se në një afat tjetër, ai është plotësisht i realizueshëm. Në fakt, qëndrimi i Bochardt përgjatë gjithë kohës së emërimit të tij në këtë detyrë ka qenë dyshues për vetë faktin se asnjëherë nuk ka ngritur zërin të kërkojë zbatimin e rekomandimeve të OSBE–ODIHR për zgjedhjet, por është marrë me lojëra fjalësh, si fjala vjen mohimin e deklaratës për rrezikun e parave të drogës në zgjedhje, apo dhe pamundësinë e votimit elektronik në sinkron me ato çka thoshte kreu i mazhorancës.

Roli i Vlahutin
Ndërkohë që rolin informues mbi negociatat e ka mbajtur zonja Vlahutin që informoi përfaqësuesit e partive mbi atë çka ndodhi gjatë ardhjes së zotit Frankeshtajn dhe zotit McAllister.  Vlahutin ka informuar partitë pjesëmarrëse në takim vetëm me atë çka i është propozuar Partisë Demokratike, por pa i bërë të qartë qëndrimin e partisë më të madhe të opozitës në këto negociata. E qëllimshme ose jo, për këtë duhet të përgjigjet zonja Vlahutin, e cila ishte ajo që para disa kohësh printe idenë e futjes së partive të vogla si opozitë me qëllim që “të përfitojnë nga situata për të marrë disa mandate më shumë”. Gjithsesi duhet theksuar  se Vlahutin jo pak herë ka mbajtur qëndrime në sinkron me kryeministrin, ndërkohë që ka heshtur për problemet e drogës fjala vjen, që Shqipëria i eksporton me tonelata drejt Evropës që ajo përfaqëson.

Ndoka: Zgjedhjet s’janë problem vetëm i partive, por i pluralizimit

Kryetari i PDK, Nard Ndoka, i cili ishte i pranishëm në tryezën e organizuar nga ambasadorët e BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së ka hedhur akuza të shumta ndaj tyre. Sipas Ndokës, situata ku ndodhet sot Shqipëria është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e OSBE-së dhe rekomandimeve të saj. Gjithashtu, Ndoka është shprehur se sot nuk ka më moral Reforma në Drejtësi dhe në Vetting. “Ishte një informim më tepër edhe mbi negociatat që janë zhvilluar ditët e fundit. Ne ju dhamë qëndrimin tonë. Ishte i domosdoshëm një qëndrim i tillë se ky nuk është problem vetëm i dy partive shqiptare, po i plularizimit në radhë të parë. I thashë ambasadorit Donald Lu se edhe në kohën e monizmit ne kemi votuar 99.9% dhe ishin të ligjshme dhe kushtetuese, por nën diktaturë”, u shpreh Ndoka. Sipas tij, “me zgjedhjen e presidentit të ri edhe vettingu ka rënë në aspektin moral të kësaj mazhorance dhe i thashë se këto nuk janë teka të PD-së po standarde që PD-ja i kërkon nga të gjitha partitë si standarde. Kjo është shumë e rëndësishme për ne në gjykimin tonë. I thashë për gabimet që ka bërë kryeministri me ne. Manipulimin e zgjedhjeve, nuk ka bërë konsensus për Reformën Zgjedhore. E vetmja mënyrë është që të hapë rrugën për zgjedhje, duke dhënë dorëheqjen. I thashë se ai ishte përgjegjësi kryesor për krizën, kur tha se nuk ka kohë për numërimin elektronik, ndërsa sot tha se ka kohë, pra kjo ishte e papërgjegjshme gafë diplomatike e bërë prej tij në zgjedhje. Aty pati një luhatje dhe mesa vërejtën ne nuk ka një qëndrim ndërmjet BE-së dhe SHBA-së, por ishin opinionet tona që ne shprehëm”, tha Ndoka.

Doda debaton me Bochart për të cilin “opozita është vetëm një fjali”

Deputetja e PDIU-së Mesila Doda, e cila doli e para nga takimi deklaroi se ka pasur një debat me ambasadorin e OSBE, Bernd Bochardt, për arsye se ky i fundit i ka kërkuar diçka absurde sipas saj, siç është hyrja në zgjedhje pa opozitën. Sipas saj, debate kanë ardhur dhe për shkak të deklaratës në mënyrën se si do e hartonte raportin pas zgjedhjeve. “Anëtarët e opozitës ngritën shqetësimet e tyre dhe më pas, unë pata një bisedë jo shumë miqësore me ambasadorin e OSBE, i cili ka deklaruar se mospjesëmarrja e opozitës nuk do të jetë një problem, por do të jetë një fjali në raportin e OSBE/ODIHR, ndërsa ndryshimi i Kodit dhe kërkesa për të dhënë më shumë transparencë, administrim dhe numërim i të gjitha partive parlamentare në zgjedhje, ky po do të ishte një problem shumë i madh dhe ODIHR këtë nuk do ta lejonte. Kinezërira të tilla mendoj se nuk e ndihmojnë procesin dhe na përjashtojnë edhe ne të tjerëve nga ky proces. Ose të gjithë palët do të jenë kontrollues të sistemit, ose këta zotërinj që marrin rrogën këtu në Shqipëri do të duhet të kuptojnë shumë mirë se ky vend nuk mund të kthehet dot më diktaturë dhe të mos punojnë në vendosjen e autoritarizmit dhe diktaturës në këtë vend. Këtë nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë”.

Artikulli paraprakBashkia Kamëz: Rama rikthehet aty ku mashtroi për mbi 20 mijë legalizime
Artikulli tjetërPërmbysje popullore kur kontrata shkelet