Mino Raiola mendon për portën e Interit. Skenarë të rinj janë shfaqur për të ardhmen e portierit të Milanit, Gianluiggi Donnarumma. Pas interesimit të bërë publik nga Juventusi për të pasur në dispozicion shërbimet e 18-vjeçarit, mediat italiane bëjnë të ditur se menaxheri i famshëm i futbollistëve Mino Raiola, ka pasur një takim me drejtuesit e Interit duke i propozuar atyre transferimin e gardianit në vitin 2018 me parametra zero. Përgjigjja e drejtuesve zikaltër ka qenë pozitive, pasi vështirë se mund të kërkosh kohë të mendohesh për një talent si Donnarumma.
Ky veprim mund të konsiderohet si lojë nga ana e Raiolës, i cili kërkon t’i ushtrojë presionit Milanit, në mënyrë që oferta e tyre për rinovimin e kontratës të jetë sa më e kënaqshme. Propozimi aktual i kuqezinjve për 18-vjeçarin është 3.5 milionë euro në sezon, shumë që nuk është pranuar nga pala tjetër. Gjithashtu presidenca e re e Milanit, ka përfshirë në ofertë edhe propozime të tjera në formë bonusesh për të bindur Donnarummën, siç janë shiriti i kapitenit, por edhe një rrogë për vëllain e gardianit Antonio Donnarumma, i cili mbron portën e Asteras Tripoli në kampionatin grek. Në krye të axhendës së dyshes Mirabelli-Fasone është rinovimi i kontratës për 18-vjeçarin dhe në rast mosrealizimi objektivi i radhës është të mos e humbasin atë me parametra zero.