Real Madridi i Zinedine Zidane ka vazhduar drejt titullit të La Ligas, pas fitores 2:1 ndaj Valencias në “Santiago Bernabeu”. “Los Blancos” vuajtën shumë në “Santiago Bernabeu”, të cilët golin e fitores e shënuan në minutën e 86’ përmes Marcelos, që tani u shkëputën në tre pikë nga Barcelona, e cila luan derbin me Espanyolin.
Ronaldo kaloi në epërsi Realin në minutën e 27, duke shënuar golin e 33 me kokë që nga sezoni 2012/’13, më shumë se çdo lojtar tjetër në top pesë ligat Evropiane. Ndërkohë, Parejo shokoi vendasit, duke shënuar një gol të bukur në minutën e 82’. Por pas sulmeve të vazhdueshme, “Los Blancos” gjetën sërish golin e epërsisë dhe të tre pikëve në minutën e 86’.
Kapiteni i dytë i ekipit, Marcelo, ishte ai që shënoi golin ndoshta më të rëndësishëm të sezonit. Golin e tri pikëve e shënoi mbrojtësi Marcelo në minutën e 86, i cili pas ndeshjes tha se për ta fituar La Ligën, duhet t’i fitojnë sfidat e mbetura. “Ne e lamë shpirtin në fushë. Nëse duam titullin e La Ligas, duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura”, ka thënë Marcelo.
Pavarësisht se Cristiano Ronaldo shënoi gol, ai u vlerësua si një ndër më të dobëtit për Realin, për shkak të penalltisë që humbi në minutën e 57’. Luka Modriç është vlerësuar si më i miri i ndeshjes, duke marrë notën më të madhe (7.7).
Me golin që shënoi kundër Valencias, Cristiano Ronaldo u bë golashënuesi më i mirë histori të top gjashtë ligave në Evropë me gjithsej 367 finalizime. Ronaldo kështu ka kaluar anglezin Jimmy Greaves, i cili kishte shënuar 366 gola në 528 ndeshje.
Për të arritur te titulli, Real Madridit i kanë mbetur edhe katër ndeshje, prej të cilave duhet t’i sigurojë 10 pikë apo tri fitore e një barazim, gjithmonë nëse Barcelona vazhdon t’i fitojë ndeshjet e saj. Reali ka edhe ndeshjen e mbetur me Celta Vigon, e cila nuk është ende në kalendar.
Ndërkohë, Isko vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për merkaton e verës. Liverpool kërkon një përforcim të madh dhe po mendon për mesfushorin e Real Madridit. Mediat shkruajnë se, Liverpool ka shprehur interesim për transferimin e mesfushorit të Real Madridit, Isco.
“Don Balon” raporton se Jurgen Klopp e konsideron Iscon si zëvendësim ideal për Philippe Coutinho, që mund të largohet nga klubi pas përfundimit të këtij sezoni. Isco kërkohet edhe nga Juventus, Arsenal e Barcelona.