Nuk ka dritë në fund të tunelit për Interin. Skuadra e Stefano Piolit, ashtu si Milani ka dorëzuar të gjitha armët në garën për zonën europiane duke pësuar një disfatë që mbyll ciklin e këtij sezoni pothuajse anonim. Është Napoli që bën goditjen e madhe në “San Siro” me golin e Callejon në pjesën e parë. Interi anemik dhe pa dëshirë nuk e kërkoi golin në asnjë moment, duke i dhuruar praktikisht ndeshjen skuadrës së Sarrit që tashmë ndodhet vetëm 1 pikë larg vendit të dytë.
Trajneri i zikaltërve, Stefano Pioli, ka folur pas ndeshjes me Napolin, ku Interi u mund 1-0: “Skuadra nuk e do vendin e gjashtë? Është e gabuar të mendohet kjo, nuk është aspak e vërtetë. Rezultatet tona janë komplet negative dhe duhet që të ndryshojmë sa më shpejt.
Zero goditje në portë? Mendoj se në ndeshjet e fundit na ka munguar mentaliteti, por sot jo. Është e vërtetë që kemi goditur shumë pak në portë, por të mos harrojmë që kemi krijuar shumë aksione. Gabigol? Në ndeshje unë marr vendime për të krijuar një ekip sa më kompetitiv, pastaj sot u dogj një zëvendësim, pasi Murijo u dëmtua. Me siguri do të kisha hedhur në fushë një tjetër sulmues, nuk e di nëse Gabin apo dikë tjetër.
Qëndrimi im? Unë flas gjithmonë me shoqërinë, jemi të përqendruar tek e tashmja dhe së shpejti do të ulemi të flasim për të ardhmen. Grumbullimi? Zgjidhjet që marrim janë gjithmonë të drejta, gjatë javës kemi punuar shumë mirë. Kam parë te lojtarët dëshirën për ta ndryshuar këtë situatë”, tha ai.
Edhe Milan i ka dhënë përfundimisht lamtumirën objektivit për një biletë në Europë pas barazimit 1-1 në transfertën e Crotones. Skuadra e Vincenzo Montellas nuk arriti të imponohej në transfertën kalabreze edhe pse kishte përballë një kundërshtar dukshëm më inferior duke lënë 2 pikë që mund ta mbanin në lojë deri në fund për vendin e pestë. Ishte Marcello Trotta ai që shënoi një gol shprese për vendasit që në minutën e 8.
Pas një pjese të parë pa shumë emocione, Gabriel Paletta 5 minuta nga rikthimi i skuadrave në fushën e lojës vendosi baraspeshën. Pavarësisht tentativave të shumta, Milani nuk arriti të shënonte sërish duke u larguar me 1 pikë nga kjo transfertë. Ndërkohë, në Toskanë, Empoli u mund 3-1 nga Sassuolo duke lënë sërish të hapur çështjen e mbijetesës. Federico Peluso zhbllokoi sfidën në minutën e 20. 4 minuta më vonë, Manuel Pucciarelli nga pika e bardhë barazoi shifrat, por ishte sërish Sassuolo që gjeti rrugën e rrjetës me Alessandro Matrin. Alfred Duncan ishte lojtari që mbylli fatin e kësaj sfide me një tjetër gol për ekipin mik.
Trajneri Vincenzo Montella tha se, skuadra krijon lojë dhe raste: “Vazhdojmë të ofrojmë ndeshje të mira, duke pasur topin shumicën e kohës nën zotërim dhe duke u munduar të krijojmë mundësi shënimi. Skuadra e nisi dobët, por me kalimin e minutave e ngriti nivelin. Krotone vërtet luan për t’i shpëtuar rënies nga kategoria, por ndeshjet e fundit po luan sikur të ishte skuadër e Ligës së Kampioneve.
Mund të kishim fituar, por kthehemi në shtëpi me një pikë dhe plot mërzi”. Në lidhje me objektivin “Europë”, kreu i stolit kuqezi nuk sheh probleme: “Jemi në garë, pasi edhe rezultatet e rivaleve na kanë favorizuar. Tani kemi dy ndeshje të lehta ndaj Atalantës dhe Romës”.