Qeveria e Kosovës edhe zyrtarisht ka aplikuar për përfshirje në rrjetin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), shkruan sot Koha Ditore. Ky projekt ka paraparë ndërtimin e tubacionit të gjatë 878 kilometra, që do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan (rajoni Kaspik). Lajmin për aplikimin e ka dhënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Ndërsa, më shumë hollësi ka dhënë zyra për informim e kësaj ministrie. “Republika e Kosovës ka aplikuar bashkërisht me Republikën e Shqipërisë për përfshirje e projektit të Gazsjellësit Shqipëri-Kosovë, në Listën e Projekteve me Interes për Komunitetin e Energjisë (PECI – listës 2016)”, thuhet në përgjigjet e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Në MZHE kanë thënë se hyrja e këtij projekti në kuadër të listës PECI-2016 ka përparësi të mëdha për Kosovën dhe nëse do të kualifikohet për të hyrë në Listën PECI-2016, automatikisht do të trajtohet si projekt me prioritet. Nëse gjithçka shkon sipas planifikimit fillestar, afati i realizimit të projektit është parashikuar të jetë deri në fund të vitit 2022.