Administrimi i pallateve, pagesat mujore arrijnë deri në 20.000 lekë

Qytetarët e Tiranës, të cilët jetojnë në pallate, qofshin këto objekte të ndërtuara para viteve ‘90 apo të ndërtuara së fundmi, janë të detyruar sipas ligjit të paguajnë administratorin e pallatit, i cili do të përgjigjet për çdo problematikë që haset në mjediset e përbashkëta. Për 5000 pallate në Tiranë është menduar që të regjistrohen dhe të pajisen me licencë 3000-5000 administratorë. Një prej administratorëve të një kompleksi në Tiranë, Isidor Koti thekson se tarifat që duhet të paguajë çdo familje përcaktohen nga kryesia e banorëve të kompleksit dhe kjo pagesë është në varësi të shërbimeve që ofrohen, e cila varion nga 8000 deri në 20 000 mijë lekë. Koti thekson se duhet bërë më shumë për ndërgjegjësimin e qytetarëve në këtë drejtim duke veçuar si më problematikë ato të pallateve të vjetra ku edhe pagesa është më e vogël deri në 5000 lekë. Bashkia e Tiranës është institucioni përgjegjës, i cili tashmë ka marrë në dorë zbatimin e Ligjit për “Administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” të miratuar në muajin prill të vitit 2009. Aktualisht janë organizuar 800 kryesi dhe asamble, të cilat kanë marrë vendimin për zgjedhjen e administratorëve të pallateve, por edhe pagesave, të cilat duhet të paguajnë banorët.

Artikulli paraprakGjirokastra, me më shumë femra të papuna, Dibra më pak
Artikulli tjetërKriza ekonomike, rritet huaja e marrë nga individët