Sulmuesi i Monaco-s, Kylian Mbappe thotë se teksa është i lumtur që do të përballet me Bufon, ai do të bëjë çmos për ta mundur portierin e Juventusit. Në një intervistë për “Uefa.com” në prag të gjysmëfinales së Champions League, Mbappe gjithashtu sugjeroi se formacioni 4-4-2 nuk ka vdekur akoma, siç e ka treguar edhe Monaco dhe se ekipi i tij ka të njëjtat shanse për të fituar trofeun si Juve. “Ne luajmë me skemën 4-4-2 me dy sulmues, Falcao, i cili është një sulmues i mirëfilltë dhe unë që jam më tepër një sulmues krahu. Më pëlqen të lëviz në fushë, dhe trajneri më jep liri ta bëj këtë dhe i jam mirënjohës”, u shpreh Mbappe.
Mbappe është tepër optimist për ecurinë e skuadrës së tij, Monaco, dhe beson se do të jenë ata që do të triumfojnë në raundin gjysmëfinal të Champions League ndaj Juventusit. Sulmuesi vlerëson maksimalisht portierin e bardhezinjve Bufon, por premton që do ta ndëshkojë me gol. “Në këtë ekip ka shumë lojtarë cilësorë dhe të gjithë mundohemi të ndihmojmë njëri-tjetrin, prandaj kemi kaq shumë golashënues të ndryshëm në ekip. Duam të fitojmë diçka së bashku dhe për ta bërë këtë, nuk mund të mbështetemi vetëm tek individët, por duhet ta bëjmë bashkë. Juventus është një klub i madh të gjithë e njohin historinë e tyre, lojtarët që kanë luajtur aty dhe ata që akoma luajnë aty. Ndaj Barças treguan se janë favoritë për të fituar kompeticionin. Por edhe ne kemi kualitete dhe do të bëjmë çmos për të shkuar në finale, Bufon: Ai është një portier që ka lënë gjurmë në historinë e këtij sporti, një nga më të mirët në botë. Punon përditë për t’u ndeshur me lojtarë si ai”, tha Mbappe.
Ndërkohë, Dani Alves paralajmëron shokët e skuadrës së Juventusit për ndeshjen me Monacon. “Rreziku më i madh në përballjen ndaj Monacos është vetëkënaqësia apo të menduarit se e kemi fituar Championsin pas eliminimit të Barcelonës. Por në fakt, trofeun ende nuk e kemi fituar. Kompeticioni është ende duke u zhvilluar dhe duhet ende shumë punë deri në fundin e tij. Nuk duhet të gabojmë”, thotë braziliani i bardhezinjve, i transferuar në Itali pikërisht nga Katalunja.
“Duhet të jemi në 100 për qind të formës sonë. Motivimi nuk mungon, sepse Juve ka shumë vite që nuk fiton në Europë. Në ‘Louis II’ do ta kemi tepër të vështirë. Në Monaco nuk do të jetë thjesht një shëtitje. Ata luajnë futboll dhe nuk shqetësohen shumë sepse nuk kanë çfarë të humbasin, ndërsa ne duhet të jemi shumë të qetë dhe të përqendruar për të shkuar deri në finale. Duhet të përmirësohemi, por që prej fillimit të sezonit donim të arrinim këtu ku jemi, madje edhe më larg. Synojmë të fitojmë të gjitha kompeticionet ku marrim pjesë”, shton më tej mbrojtësi brazilian.
Dani Alves nuk e fsheh dëshirën për të arritur “tripletën”. “Duket e thjeshtë, por realiteti është se punojmë shumë. Ne duhet të bëjmë punën tonë ditë pas dite, por kurrë s’duhet të mendojmë se nuk i kemi mundësitë tona për sukses. Gjithçka mund të fitohet, ndaj edhe ëndërrojmë. Gjithsesi, s’kemi arritur ende asgjë, por jemi të lumtur që mund të shkruajmë historinë”, thotë Dani Alves.