Pjesëmarrja në fazën gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve nuk u sjell ekipeve vetëm prestigj, por edhe të ardhura financiare mjaft të mëdha për arkat e tyre. Secili nga 4 ekipet që ka arritur në këtë fazë ka siguruar nga një shpërblim prej 7.5 milionë eurosh, ndërkohë që një kualifikim për në finale do t’u siguronte edhe nga 11 milionë euro më shumë, gjithnjë në rast se do të mposhten në finale, ndërsa në rast triumfi atëherë shpërblimi shkon në 15.5 milionë euro.
Liga e Kampioneve njihet si kompeticioni që shpërblen më shumë klubet nga ana financiare, pasi deri në këtë fazë skuadrat kanë përfituar shuma të tjera marramendëse si 12.7 milionë euro për pjesëmarrje në fazën e grupeve, 1.5 milionë euro për çdo fitore në grup, 500 mijë euro për çdo barazim në grup, 6 milionë euro për kualifikimin në fazën e 16 më të mirave dhe 6.5 milionë euro për kualifikimin në çerekfinale.